Ruzhdi Jashari

Ruzhdi Jashari kritikon Serbinë për trajtimin e Mlladiqit

Veprimtari dhe publicisti Ruzhdi Jashari ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si në Serbi po trajtohet vdekja e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Jashari ka kritikuar ashpër çdo përpjekje për ta paraqitur Mlladiqin si figurë për t’u nderuar, duke e cilësuar këtë qasje si dëshmi të mungesës së një përballjeje të sinqertë të Serbisë me të kaluarën dhe përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Jashari ka shkruar se, pavarësisht faktit që Mlladiqi u dënua nga drejtësia ndërkombëtare për krime të rënda dhe gjenocid ndaj popullsisë civile në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi ai vazhdon të trajtohet nga qarqe të caktuara si figurë heroike. Sipas tij, një qasje e tillë e zhvendos vëmendjen nga viktimat dhe e relativizon peshën e krimeve për të cilat ai është dënuar. “Mos e vet se të tregon vet”, ka shkruar Jashari, duke e përdorur këtë shprehje për të argumentuar se mënyra se si Serbia sillet me figurat e dënuara për krime lufte, sipas tij, tregon shumë për raportin e saj me të kaluarën. Ai ka akuzuar gjithashtu qarqe politike dhe fetare për glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte dhe ka ngritur kritika ndaj, siç e quan ai, heshtjes ndërkombëtare përballë kësaj qasjeje. Jashari e lidh këtë me një problem më të gjerë të mospranimit të përgjegjësisë për krimet e luftërave në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Në reagimin e tij, Jashari ka paralajmëruar se mungesa e një përballjeje të plotë me të kaluarën dhe mosdënimi politik e moral i ideologjive që prodhuan krime të tilla krijon rrezikun e përsëritjes së politikave konfliktuoze në rajon. Ai veçanërisht ka përmendur shqiptarët dhe boshnjakët si popuj që, sipas tij, kanë qenë viktima të politikave të dhunshme serbe.

Kontrolloni gjithashtu

Gjini takon senatorët amerikanë: Integrimi i Kosovës në NATO është garanci për stabilitet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka zhvilluar një takim në Ambasadën …