Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për mënyrën se si pritet të përcillet në Serbi Ratko Mlladiqi, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Përmes një postimi në rrjetin social X, Kearns ka kritikuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe qeverinë e Serbisë, duke e lidhur trajtimin e Mlladiqit me qëndrimin e Beogradit ndaj gjenocidit në Srebrenicë. Ajo ka thënë se, ndërsa autoritetet serbe vazhdojnë ta mohojnë gjenocidin, po përgatiten ta përcjellin me nderime personin që ishte në krye të forcave përgjegjëse për krimet. “Vuçiqi dhe qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Tani ata do ta varrosin njeriun që dha urdhrat, Ratko Mlladiqin, me nderime të plota. Kjo është një rrëfim”, ka shkruar Kearns. Deputetja britanike ka paralajmëruar se vdekja e Mlladiqit nuk duhet të interpretohet si fund i ideologjisë që ai përfaqësonte, duke theksuar se mohimi i krimeve dhe glorifikimi i autorëve të tyre mund t’i mbajnë gjallë të njëjtat ide. “Mlladiqi ka vdekur, por miliona boshnjakë vazhdojnë të jetojnë. Çdo jetë e jetuar është një fitore kundër tij dhe ambicieve të tij gjenocidale”, ka deklaruar ajo. Kearns ka theksuar se përgjegjësia për të kaluarën nuk përfundon me vdekjen e një prej figurave kryesore të luftës në Bosnje e Hercegovinë. Sipas saj, mohimi i gjenocidit në Srebrenicë dhe rehabilitimi publik i figurave të dënuara për krime ndërkombëtare krijojnë terren që ideologjitë e tyre të vazhdojnë të mbijetojnë. “Mos mendoni se ato ambicie vdiqën me të. Ato mbahen gjallë nga ata që e mohojnë gjenocidin”, ka shtuar deputetja britanike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
