Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, ku vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit dhe bashkëpunimit me platformën “Liria Ka Emër”, në kuadër të aktiviteteve publike që po zhvillohen nën moton “Kosova po pret”, në prag të 16 shtatorit.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, sonte, më 31 gusht, në ora 19:30, në Sheshin e Dëshmorëve në Malishevë, do të vendoset “Ora e Pritjes”, një ekran simbolik që do të numërojë mbrapsht ditët, orët, minutat dhe sekondat deri më 16 shtator.
Po ashtu, Komuna e Malishevës ka vendosur flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, në mbështetje të këtyre aktiviteteve dhe mesazhit të përbashkët që përcillet në këto ditë.
Me këtë rast, kryetari Kastrati u bën thirrje qytetarëve të Malishevës që sonte, nga ora 19:30, të mblidhen sa më masivisht në Sheshin e Dëshmorëve dhe të bëhen pjesë e vendosjes së “Orës së Pritjes”, duke përcjellë edhe nga Malisheva mesazhin e përbashkët “Kosova po pret”.