Bekim Sejdiu është emri për të cilin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar si kandidat për president të Kosovës, por marrëveshja politike nuk i ka larguar dilemat për sigurimin e votave në Kuvend. Derisa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij do ta mbështesë marrëveshjen me Vetëvendosjen, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka dalë publikisht kundër kandidaturës së Sejdiut. Ende nuk dihet nëse kundërshtimi i Hotit do të nënkuptojë edhe mungesën e tij në sallë gjatë votimit. Sipas raportimeve të Kohës, LDK-ja pritet të mbledhë Kryesinë e partisë, ndërsa një deputet i këtij subjekti ka deklaruar në kushte anonimiteti se Abdixhiku nuk është konsultuar me deputetët për kandidaturën e Sejdiut. Ndërkohë, PDK-ja e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë Sejdiun. Kryetari i saj, Bedri Hamza, ka deklaruar se nga deputetët e PDK-së nuk pritet votë pro, ndërsa Aleanca, me shtatë deputetë, vazhdon të kërkojë plotësimin e kërkesave të saj për të ofruar mbështetje. Vetëvendosja ka 53 deputetë, LDK-ja 18, ndërsa së bashku me deputetët e komuniteteve mund të sigurojnë numrin e nevojshëm për kuorum. Për votim duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, ndërsa në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Një tjetër paqartësi është data e seancës për zgjedhjen e presidentit, pasi Kuvendi ende nuk është konstituuar. Më 5 shtator bëhen 30 ditë nga betimi i deputetëve, duke e bërë edhe më të ndjeshëm ngërçin institucional. Pra, emri i presidentit është gjetur, por ende mbetet pyetja kryesore: a do të gjenden edhe votat për ta zgjedhur Bekim Sejdiun?
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
