Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sërish takim me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbështetje për zgjedhjen e presidentit të vendit. Kurti tha se ende beson se një takim me Gjinin është i nevojshëm, duke kundërshtuar qasjen e vendosjes së kushteve përpara zhvillimit të bisedimeve. Duke komentuar gjashtë kërkesat e Aleancës, të cilat kjo parti i ka paraqitur si kushte për mbështetjen e kandidaturës për president, Kurti deklaroi se ato janë pjesë e programit zgjedhor të AAK-së dhe se nuk mund të kërkohet nga një subjekt tjetër politik që t’i përmbushë zotimet e saj elektorale. “Ne sapo kemi dalë nga zgjedhjet dhe secili kemi dalë me zotimet tona dhe ne duhet t’u përmbahemi zotimeve tona. Unë nuk mund të pres që një parti tjetër politike t’i përmbushë mua premtimet. Unë kërkoj votën te qytetarët për programin elektoral që prezantoj dhe, karshi mbështetjes që marr, edhe sillem e veproj”, tha Kurti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
