KKSB vlerësoi situatën e sigurisë në Viti të qetë dhe stabile

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e katërt të rregullt, ku është vlerësuar situata e përgjithshme e sigurisë në Komunën e Vitisë, e cila është konsideruar e qetë, stabile dhe e menaxhueshme.

Mbledhjen e ka kryesuar zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili ka theksuar angazhimin e institucioneve komunale dhe bashkëpunimin e mirë me të gjitha instancat e sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mekanizmat e tjerë relevantë. Sipas tij, ky bashkëpunim ka kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në territorin e komunës.

Gjatë mbledhjes është prezantuar edhe një raport i shkurtër për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027. Zyrtari i Drejtorisë së Arsimit, Xhevdet Llulleci, ka bërë të ditur se procesi mësimor ka nisur mbarë dhe pa probleme të theksuara.

Ndërkaq, komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Ruzhdi Abdullahu, ka paraqitur statistikat e rasteve të raportuara në polici gjatë periudhës së fundit dhe ka vlerësuar se situata e sigurisë në komunë ka qenë stabile dhe e menaxhueshme.

Kapiteni Abdullahu ka bërë gjithashtu apel për qytetarët që më 16 shtator, në ditën kur pritet vendimi në Gjykatën Speciale në Hagë për ish-pjesëtarët e UÇK-së, të tregojnë përgjegjësi dhe maturi, duke e pritur vendimin në mënyrë të qetë dhe duke shmangur çdo mundësi provokimi apo incidenti.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për disa raste shqetësuese që kanë ndodhur së fundmi. Anëtarët e KKSB-së kanë ngritur shqetësimin për dy rastet e sulmeve fizike ndaj punëtorëve shëndetësorë, njëri në QKMF në Viti dhe tjetri në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozheran.

Po ashtu, është diskutuar edhe rasti i fundit i lëndimit të një punonjëseje në një qendër tregtare në Viti, me ç’rast është kërkuar angazhim më i madh i inspektorëve në terren, me qëllim të forcimit të kontrolleve dhe rritjes së sigurisë për punëtorët.

Anëtarët e KKSB-së kanë vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve lokale dhe mekanizmave të sigurisë mbetet i rëndësishëm për parandalimin e incidenteve dhe ruajtjen e një klime të sigurt për të gjithë qytetarët e Komunës së Vitisë.

Kontrolloni gjithashtu

Në Viti nis punëtoria për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve organike

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim homologun e tij …