Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përsëritur se qëndrimi i partisë së tij është që ligji të përfundojë përpara votimit për presidentin. “Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit”, ka deklaruar Hamza. Megjithatë, deri të dielën nuk është arritur një marrëveshje mes Hamzës dhe kryeministrit Albin Kurti për renditjen e këtyre hapave. Pas takimit të së shtunës, Hamza tha se nuk e di nëse marrëveshja do të arrihet. Sipas propozimit të raportuar nga mediat, Kurti ka kërkuar që fillimisht të votohet leximi i parë i projektligjit, më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit dhe vetëm pas kësaj të zhvillohet leximi i dytë. Ky rend nuk përputhet me kërkesën e PDK-së. Në këtë situatë, afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit e shton presionin politik, pasi ai përfundon më 6 tetor. Sipas një analize të Eugen Cakollit, leximi i dytë i projektligjit do të mund të zhvillohej më së herëti më 8 tetor. Ndërkohë, Qeveria i ka përcjellë Kuvendit mendimin e saj për projektligjin, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për ndryshimin e tij, por Ministria e Drejtësisë ka kërkuar shqyrtim më të thelluar parlamentar, duke e cilësuar çështjen komplekse për shkak të ndërthurjes së disa rregullimeve juridike. Presioni është shtuar edhe nga jashtë institucioneve. Veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve në rast se nuk arrihet një dakordim për projektligjin. Ata kanë bërë thirrje për tubim para Kuvendit të Kosovës më 5 tetor, në orën 12:00, duke paralajmëruar se, në mungesë të marrëveshjes, do t’i intensifikojnë veprimet e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
