Do ta kishim sot në mesin tonë, në këtë përvjetor të madh, por vdekja është e pabesë… Na e mori parakohe tinëzisht. E ndjejmë mungesën e tij ne ish-kolegët dhe nxënësit e tij. Riza Aliaj hyn në këtegorinë e njerëzve të veçantë që kam njohur.
Kudo ishte Rizai: Në mësim, duke punuar për kopështin botanik, në punë në ndihmë të kooperativës bashkë me nxënësit, në brezin kufitar, në poligonin e qitjes, në fushën sportive të shkollës, duke luajtur futboll, në ekipin e punës për ngritjen e Muzeut të Krahinës së Bytyçit, te Qendra Ekonomike e Arsimit, për të tërhequr bazën materiale didaktike, në kafe bashkë me shokët. La gjurmë të pashlyera në shkollën e Pacit.
Që të jemi të nderuar, duhet të jemi të mirë. Rizai nderohej nga të gjithë, sepse ishte njeri i mirë, me shpirt të madh, i urtë, fisnik, bujar, tolerant. Ai nuk i paragjykonte kurrë nxënësit, nuk i etiketonte me epitete negative. Punonte, punonte vazhdimisht me ta, i përgatiste për olimpiadat e biologjisë. Arritja e suksesit është e lidhur me zbulimin e asaj që të pëlqen të bësh më shumë dhe ta realizosh atë.
E pëlqente profesionin e mësuesit, të shëtiste në natyrë e të mblidhte herbare, të ishte pranë shokëve në gëzime e hidhërime, të shkonte në ekskursione bashkë me nxënësit në vende të bukura të Shqipërisë, për ta njohur më mirë atë e për ta dashur më shumë.
U specializua në fushën e biologjisë e të menaxhimit të shkollës, çka e demonstroi si mësues në shkollën e Pacit, si drejtor për vite të tëra në shkollën e Berishës, si zëvendësdrejtor në shkollën e mesme Pac dhe drejtor shkolle në Fierzë. Specializimi në një degë është hapi i dytë i rëndësishëm për arritjen e suksesit. Ajo që dëshirojmë të bëjmë nuk ka lidhje vetëm me suksesin vetjak. Dëshira jonë nuk duhet të jetë egoiste, por në të mirë të komunitetit. Riza Aliaj i shërbeu komunitetit dhe lidhjet e tij me të e dallojnë nga të tjerët, e bëjnë më të besueshme fjalën e tij, i japin forcë dhe shpresë.
Nëse mendimet i kemi të mençura edhe veprimet, edhe vendimet do të jenë të tilla. Riza Aliaj ishte njeri i mençur dhe rrezatonte mirësi kudo. E shprehte në sytë, buzëqeshjen dhe lëvizjet e tij, në sakrificën për të tjerët. Ishtë një njeri altruist. Askush më mirë se Rizai nuk e kia zbatuar aksiomën: “Ajo që e vendosni dhe e ndjeni si të vërtetë, do të realizohet.”
E vërteta, liria dhe dashuria për njerëzit janë virtyte për të cilat duhet ta duam jetën. Virtytet më të mira janë pjesë e personalitetit të Rizait. Ishte i sjellshëm, gojëëmbël, si edhe i ati, Bajram Uka. Asgjë nuk kushton më pak se një sjellje e mirë dhe asgjë nuk çmohet më shumë se ajo. Për të matur virtytet e një njeriu nuk duhet të presim “rastet e mëdha”, por ta shikojmë atë në jetën e përditshme. Rizai ishte i drejtpërdrejtë, i vërtetë, i sinqertë, miqësor në kontaktet dhe marrëdhëniet me njerëzit. Karakterin e një njeriu do ta shohësh atëherë, kur bëhet epror. Rizai pati detyra të rëndësishme në shkolla, zëvendësdrejtor, drejtor, por mbeti i njëjti Riza, siç ishte pa detyra. E ruajti shoqërinë, respektin për njerëzit, thjeshtësinë pa bërë lëshime në kryerjen e detyrave nga secili. Nuk duhet asgjë më tepër se pak thjeshtësi për t’u dukur i natyrshëm. Kjo është edhe një cilësi tjetër e Rizait. E njihte dhe e respektonte gjuhën e të tjerëve. Asnjëherë nuk merte vendime të nxituara. Këshillohej dhe merrte mendimet e bashkëpuntorëve. Gjithë zotësia e njerëzve nuk është gjë tjetër, veçse një përzierje durimi dhe kohe. “I duruari, i fituari”- thotë populli. Rizai kishte durim të madh, asnjëherë nuk nxehej, nuk e humbte ekuilibrin dhe nuk hakmerrej ndaj të tjerëve. Eci me kohën, i shërbeu kohës.
Sipas teorisë së psikoanalizës: “Kur mendja është e qetë dhe ju e pranoni një ide, nënvetëdija i futet punës për ta realizuar atë”.
Heshtja e tij në shumë momente përcillte mesazhe domethënëse dhe nuk ishte e lehtë për ta deshifruar. I shikonte dhe i trajtonte problemet nga këndvështrimi i bashkëbiseduesit. Ai u shoqërua me njerëz që ndihmojë të mendosh ide të reja, me njerëz të interesave të ndryshme, profesionale dhe shoqërore. Ia shtoi vlerat njerëzve, por edhe vetes së tij. Kombinoi dijen me dëshirën ta transmetonte edhe te nxënësit.
Po e mbyll këtë shkrim më një detaj interesant dhe domethënës. Ishte korriku i vitit 1981. Në oborrin e shtëpisë sime, nën hijen e rrushit, po pinim një kafe e një gotë raki unë, babai im, Rizai dhe babai i tij, Bajram Uka. Ky sapo ishte kthyer nga analiza vjetore e arsimit për rrethin. E pyeti im atw: “Si dolët si shkollë?” Bajram Uka vuri buzën në gaz dhe iu drejtua babës: “Bajram! Paska mbaruar arsimi në rrethin e Tropojës, kur paska dalë mirë Rizai me shokë.” Një vlerësim i tillë e befasoi Rizain dhe si për të kërkuar ndihmë vështroi nga babai im, i cili iu përgjigj flakë për flakë: “I kemi shumë të mirë mësuesit dhe duhet t’iu besojmë më shumë!” E vërteta ishte se shkolla në atë periudhë kishte një brez mësuesish të talentuar, të aftë e të përkushtuar.
Reagimi i Bajram Ukës duhej kuptuar në sensin, se kërkohej akoma më shumë nga mësuesit. Nuk kishte vend për vetkënaqësi. Kërkonin më shumë prindërit tanë, sepse një vend i arsimuar është edhe i zhvilluar. Një popull i arsimuar e do më shumë vendin e tij. Një brez i arsimuar është një garanci për të ardhmen. Kishin edhe një arsye personale: E ndjenin mungesën e arsimimit në kohën e tyre. Brezat e mësuesve, ku hyn edhe Rizai, të cilët punuan pas vitit 1945 e ngritën në një nivel të lartë e të paparë arsimin. Janë frymëzim për të gjithë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
