Gjermania shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Specialen: Pavarësia e saj duhet të respektohet

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me ndryshimet që Kuvendi i Kosovës miratoi në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre duhet të respektohet. “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështeten në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. Sipas Gjermanisë, respektimi i pavarësisë së Dhomave të Specializuara është i domosdoshëm për përmbushjen e mandatit të tyre. Ambasada gjermane ka bërë të ditur gjithashtu se mbështet qëndrimin e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi. Ndryshimet në ligj u miratuan të martën mbrëma dhe, ndër të tjera, parashohin kufizime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përcaktimin e dënimit maksimal prej 15 vjetësh, si dhe mundësinë e transferimit të rasteve apo dënimeve në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Zgjedhja e Shiroka-Pulës është kushtetuese, nuk shoh çështje për Gjykatën Kushtetuese

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin …