Selim Pacolli: Deklarata e Daçiqit për Prizrenin kërkon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës

Biznesmeni Selim Pacolli ka reaguar ndaj deklaratës së politikanit serb Ivica Daçiq se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”. Në postimin e tij në Facebook, Pacolli e cilësoi deklaratën si “shpallje të hapur lufte ndaj një shteti sovran” dhe u bëri thirrje qytetarëve që një pjesë të pasurisë ta drejtojnë drejt mbështetjes së kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Daçiqi e bëri deklaratën më 7 tetor në Rashkë, gjatë fushatës zgjedhore në Serbi. Ai tha se Partia Socialiste e Serbisë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe shtoi se, nëse partia fiton besimin e qytetarëve, edhe 20 shtete të tjera do të tërheqin njohjen. Në fjalimin e tij ai tha gjithashtu se, nëse SHBA-ja reagon për Kosovën dhe Turqia për zhvillimet në Sarajevë, atëherë Serbia mund të kujdeset për Kosovën dhe serbët.  Pacolli argumentoi se siguria e shtetit dhe e brezave të ardhshëm duhet të ketë përparësi ndaj pasurisë individuale. Ai shkroi se përvoja e luftës së para 27 vjetëve duhet të shërbejë si mësim dhe se, sipas tij, paqja ruhet më mirë kur shteti është i përgatitur ta mbrojë veten.   Historia na ka mësuar se këta nuk ndalen nga fjalët, deklaratat apo thirrjet për paqe. Ata i ndal vetëm frika nga pasojat dhe përballja me një shtet të fortë, të përgatitur dhe të aftë për ta mbrojtur veten! Paqja ruhet më së miri kur shteti ka forcën dhe kapacitetin për ta mbrojtur atë!

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria synon mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20; vendimi pritet më 13 tetor

Shqipëria po synon ta mbyllë përkohësisht Kapitullin 20 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, …