Presidentja Shiroka-Pula takon familjet e ish-krerëve të UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjatë takimeve, presidentja shprehu solidaritet me familjarët dhe e cilësoi këtë periudhë si të vështirë për ta dhe për vendin. Ajo tha se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i mbështesin ish-krerët e UÇK-së brenda përgjegjësive dhe mundësive të tyre ligjore. Shiroka-Pula ritheksoi qëndrimin e saj se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit serb. Ajo tha se mbrojtja e së vërtetës historike dhe e dinjitetit të kontribuuesve për lirinë e Kosovës mbetet e rëndësishme. Presidentja i njoftoi familjet se do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, në përputhje me afatet ligjore. Ajo shtoi se Presidenca do të mbetet e hapur për familjet dhe do të veprojë brenda kompetencave kushtetuese e ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi.

Kontrolloni gjithashtu

BE-ja shpreh shqetësim për pjesëmarrjen e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për raportimet se Milan Radoiçiq, i akuzuar në Kosovë për …