Bashkim Jashari në Pentagon, SHBA-ja riafirmon mbështetjen për tranzicionin e FSK-së

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Luftës dhe përfaqësues të Gardës Kombëtare të Ajovës, me fokus bashkëpunimin ushtarak dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së. Në kuadër të vizitës, delegacioni i udhëhequr nga Jashari mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes, “AUSA Annual Meeting & Exposition”, në Uashington, D.C. Aktiviteti mbledh qindra ekspozues dhe përfaqësues nga industria e mbrojtjes dhe vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrja synon njohjen me teknologjitë dhe zhvillimet më të fundit ushtarake, të cilat mund të shërbejnë në procesin e modernizimit dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së. Një nga ndalesat kryesore të vizitës ishte Pentagoni, ku gjenerallejtënant Jashari u takua me Colby C. Jenkins, zëvendësndihmës sekretar i Luftës për Luftë Jokonvencionale. Në takim u diskutuan çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh, me theks te operacionet speciale dhe fushat e tjera me interes të përbashkët. Sipas njoftimit, pala amerikane riafirmoi mbështetjen për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin profesional të saj dhe gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë globale. Gjatë qëndrimit në SHBA, Jashari u takua edhe me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga gjeneral brigade Charles H. Lampe. Palët diskutuan rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm dhe planin e bashkëpunimit dypalësh për pesë vitet e ardhshme.

Kontrolloni gjithashtu

Tirana mes flakëve e tymit, protestues të maskuar sulmojnë institucionet, shkatërrojnë banka e plaçkitin biznese

Dita e tretë e protestës në Tiranë është shoqëruar sërish me akte dhune dhe përplasje. …