Drejtues të lartë të Policisë së Kosovës dhe të NATO-s kanë vizituar më 15 tetor njësitë policore kufitare dhe patrullat e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në pjesën veriore të vendit, me fokus mbikëqyrjen kufitare dhe koordinimin në terren. Në vizitë morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, drejtori i Departamentit për Kufi, nënkolonel Fehmi Xhata, admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, si dhe gjeneralmajori Roberto Vergori, komandant i KFOR-it. Gjatë vizitës u shqyrtua angazhimi i njësive përkatëse në mbikëqyrjen e brezit kufitar, përfshirë vijën e gjelbër dhe vijën e kaltër, si dhe bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në realizimin e detyrave të tyre. Theks i veçantë iu kushtua patrullimeve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional, si elemente të rëndësishme për mbikëqyrjen kufitare dhe ruajtjen e sigurisë. Palët vlerësuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët. Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë në funksion të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
