BE-ja përshëndet miratimin e ligjit kundër pastrimit të parave, hap tjetër drejt SEPA-s

Bashkimi Evropian e ka vlerësuar miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap tjetër drejt anëtarësimit të vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, ka thënë se miratimi i ligjit në lexim të dytë krijon përparim në procesin e integrimit financiar të Kosovës dhe afrimin e saj me Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian. “Me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi dje, Kosova ka bërë një hap tjetër drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro dhe integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, ka deklaruar Schuebel. Sipas tij, anëtarësimi në SEPA do të sillte përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, duke mundësuar transferta ndërkufitare më të shpejta dhe me kosto më të ulët. “Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transfertat e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”, ka theksuar ambasadori. Miratimi i ligjit shënon një zhvillim në përmbushjen e kërkesave për integrimin financiar evropian. Megjithatë, anëtarësimi në SEPA mbetet një proces më vete, i cili kërkon përmbushjen e kritereve përkatëse dhe përfundimin e procedurave të nevojshme.

Kontrolloni gjithashtu

Tirana mes flakëve e tymit, protestues të maskuar sulmojnë institucionet, shkatërrojnë banka e plaçkitin biznese

Dita e tretë e protestës në Tiranë është shoqëruar sërish me akte dhune dhe përplasje. …