Komuna e Ferizajt, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës, më 21 dhe 22 tetor po zhvillon një punëtori dyditore për hartimin e Planit të Veprimit të Mekanizmit Koordinues Komunal për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.
Në këtë punëtori po marrin pjesë shefi i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi, zyrtarë komunalë, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave anëtare të Mekanizmit Koordinues Komunal.
Duke u mbështetur në gjetjet e vlerësimit të nevojave dhe në përvojën e deritanishme të institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse, të pranishmit po punojnë së bashku për përcaktimin e prioriteteve, objektivave dhe veprimeve konkrete që synojnë forcimin e parandalimit, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe ofrimin e mbështetjes sa më efektive për viktimat e dhunës.
Plani i Veprimit do të përcaktojë përgjegjësitë institucionale, afatet kohore, burimet financiare dhe mekanizmat e monitorimit të zbatimit, duke shërbyer si udhërrëfyes për një bashkëpunim më të koordinuar ndërinstitucional dhe për një reagim të përqendruar në nevojat dhe të drejtat e viktimave.
Komuna e Ferizajt mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në avancimin e mekanizmave lokalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
Ky aktivitet mbështetet nga East-West Management Institute (EWMI), në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mekanizmave lokalë për adresimin e dhunës me bazë gjinore.