Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të bëjë publike shumën e mjeteve që vendi rrezikon t’i humbasë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi gjashtë nga 13 reformat nuk janë përmbushur brenda afatit të 30 qershorit.
Bajrami ka thënë se zyrtarët qeveritarë kanë dhënë deklarata të ndryshme lidhur me humbjet e mundshme financiare. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar transparencë për shumën e saktë dhe publikimin e raportit të Komisionit Evropian për vlerësimin e përmbushjes së reformave.
“Kam ngritur çështjen e humbjes potenciale të mjeteve nga Plani i Rritjes. Besoj që Qeveria, edhe pse s’po e bën publike, e ka raportin e Komisionit Evropian, për vlerësimin e përmbushjes së reformave, në kuadër të agjendës për reforma ekonomike. Kemi dëgju deklarata të ndryshme, nga zoti Zulfaj, edhe nga kryeministri Kurti, për humbjen potenciale, njëri thotë për rreth 60 milionë euro, tjetri thotë për 40 milionë euro. Kërkoj nga kabineti, t’iu tregojnë qytetarëve, se sa ka humbur Kosova, meqenëse gjashtë nga 13 reformat, nuk janë përmbushur, në afatin e 30 qershorit”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu se, gjatë mandatit të kaluar, Kosova ishte nën masa të Bashkimit Evropian, duke theksuar se mungesa e koordinimit me institucionet evropiane kishte pasoja financiare.
“Mos të harrojmë që mandatin e kaluar, kemi qenë nën masa ndëshkuese nga Bashkësia Evropiane dhe janë qindra milion euro projekte të humbura dhe të shtyra, për shkak të mos koordinimit të duhur me akterë të BE-së”, ka thënë ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
