Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë asgjësoi 5.56 tonë misër të importuar nga Serbia, pasi analizat laboratorike konfirmuan se përmbante nivele të Aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar. Një sasi e konsiderueshme ushqimi e kontaminuar, e cila mund të përbënte rrezik serioz për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. Por, përtej këtij alarmi shëndetësor, kjo ngjarje nxjerr në pah një realitet edhe më të hidhur: si është e mundur që një vend me kaq shumë tokë pjellore, me fusha të gjera bujqësore dhe me mundësi të konsiderueshme prodhimi, të vazhdojë të varet nga importi i produkteve bujqësore, madje edhe nga Serbia? Nga një vend që ka përjetuar luftë, masakra dhe shkatërrim nga forcat serbe, sot blejmë produkte bujqësore nga Serbia, ndërkohë që tokën tonë e lëmë djerrë, arat pa mbjellë dhe potencialin prodhues të vendit të pashfrytëzuar. Kjo nuk është çështje e paragjykimit ndaj origjinës së një produkti. Çështja është pse nuk po krijojmë kushte që prodhimi vendor të mbulojë sa më shumë nevojat tona dhe pse siguria ushqimore vazhdon të na përballë me raste të tilla alarmante. Çfarë po bëjnë institucionet për fermerët? Ku janë politikat serioze të subvencionimit, mbështetja për prodhimin vendor, kapacitetet e grumbullimit dhe përpunimit të drithërave? Pse një vend që mund ta kultivojë misrin në tokën e vet duhet ta kërkojë atë në tregjet e huaja? Nuk mjafton që AUV-ja ta zbulojë dhe asgjësojë një ngarkesë të rrezikshme. Duhet kontroll i vazhdueshëm, transparencë për importuesit, përgjegjësi për zinxhirin e furnizimit dhe, mbi të gjitha, një politikë që e vendos bujqësinë vendore në qendër të sigurisë ekonomike dhe ushqimore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
