Zëdhënësi i Aleancës Kushtrim Xhemaili, ka denoncuar një fushatë kërcënimesh në rrjetet sociale ndaj Ramush dhe Daut Haradinajt, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë dhjetëra profile të rreme që shpërndajnë shpifje dhe mesazhe nxitëse për dhunë. Sipas Xhemailit, njëri prej profileve, që përdor emrin fiktiv “Besmir Kelmendi” dhe fotografinë e Avni Rrustemit, ka publikuar gjatë dy ditëve të fundit mesazhe me thirrje për vrasjen e dy vëllezërve Haradinaj.
Ai ka pretenduar se përmes këtyre publikimeve po tentohet të ndërlidhet familja Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke nxitur urrejtje dhe vetëgjyqësi. Xhemaili ka bërë të ditur se AAK-ja ua ka dorëzuar Policisë së Kosovës dhe organeve të drejtësisë të dhënat dhe provat për profilin në fjalë dhe llogaritë e tjera që, sipas tij, lidhen me këtë fushatë. Ai ka kritikuar edhe disa deklarime të deputetëve të partisë në pushtet, duke i akuzuar për mbështetje të asaj që e cilësoi fushatë linçimi dhe kërcënimi online. Në reagimin e tij, zëdhënësi i AAK-së ka kërkuar që përgjegjësit të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë, ndërsa ka kundërshtuar përdorimin e tragjedisë në Pejë për përplasje politike dhe nxitje të dhunës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
