Labinot Dervishaj: Kosova po përballet me humbje të vlerave njerëzore, dhuna po bëhet shqetësim shoqëror

Vrasjet, aksidentet, kërcënimet, konfliktet dhe përçarjet familjare po shtojnë shqetësimin për gjendjen e raporteve shoqërore në Kosovë. Psikologu Labinot Dervishaj, përmes një reagimi publik, ka ngritur shqetësimin për përhapjen e dhunës dhe dobësimin e vlerave njerëzore në shoqëri. Dervishaj vlerëson se shoqëria po humb gjithnjë e më shumë durimin, respektin, tolerancën, solidaritetin dhe përgjegjësinë ndaj njëri-tjetrit. Sipas tij, mosmarrëveshjet që dikur mund të zgjidheshin përmes komunikimit, gjithnjë e më shpesh po përshkallëzohen në fyerje, kërcënime dhe konflikte me pasoja të rënda. Ai thekson se degradimi shoqëror nuk ndodh brenda natës, por fillon atëherë kur dhuna normalizohet, mungesa e respektit justifikohet dhe indiferenca ndaj fatkeqësive bëhet pjesë e përditshmërisë. Psikologu konsideron se Kosovës, përveç zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, i nevojitet edhe zhvillim njerëzor, kulturor dhe emocional. Në këtë drejtim, ai vë në pah rëndësinë e edukimit, kulturës së komunikimit, përgjegjësisë familjare dhe vetëdijes qytetare. Duke ngritur pyetjen se çfarë shoqërie po u lihet brezave të ardhshëm, Dervishaj u bën thirrje qytetarëve të reflektojnë për gjendjen e raporteve ndër njerëzore dhe për përgjegjësinë e përbashkët në ndërtimin e një shoqërie ku respektohet jeta dhe dinjiteti i njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj kërkon kthimin e zhvillimit ekonomik në prioritet të Qeverisë: Siguria e investitorëve është thelbësore

Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, ka kërkuar që zhvillimi ekonomik të rikthehet në krye të …