Kosova e ekspozuar ndaj luftës hibride, dobësi në mbrojtjen kibernetike dhe infrastrukturën kritike

Kosova përballet me rreziqe në rritje nga operacionet hibride, sulmet kibernetike, sabotimet dhe dezinformimi, ndërsa institucionet e vendit vazhdojnë të kenë mangësi në kapacitetet e parandalimit dhe reagimit ndaj këtyre kërcënimeve. Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, ndonëse Kosova nuk është në luftë, tensionet e vazhdueshme me Serbinë, infrastruktura kritike dhe ndarjet e brendshme politike e bëjnë vendin të cenueshëm ndaj operacioneve destabilizuese. Në dokumentin strategjik SOCTA 2025, Policia e Kosovës identifikon si rreziqe operacionet e fshehta, sulmet kibernetike, propagandën dhe përdorimin e grupeve joformale. Paralajmërohet gjithashtu për mundësinë e sulmeve ndaj institucioneve, bankave dhe mediave. Rreziku nuk është vetëm teorik. Në maj të vitit 2024, faqet e Presidencës, Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera u goditën nga sulme kibernetike, për të cilat përgjegjësinë e morën disa grupe proruse, ndërsa Qeveria e Kosovës fajësoi hakerët rusë. Ndërkaq, shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, në nëntor të vitit 2024, dëshmoi pasojat e mundshme të goditjes së infrastrukturës jetike. Autoritetet kosovare e cilësuan rastin si sulm terrorist dhe akuzuan Serbinë për përfshirje, por nuk janë paraqitur prova publike që e lidhin atë me shërbimet ruse të inteligjencës. Analiza vë në pah se Kosova ka identifikuar kërcënimet, por ende përballet me sfidën e ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm për t’i parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në kohë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj kërkon kthimin e zhvillimit ekonomik në prioritet të Qeverisë: Siguria e investitorëve është thelbësore

Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, ka kërkuar që zhvillimi ekonomik të rikthehet në krye të …