Jakup Nura mohon përçarjet në PDK: Nuk ka garë me bërryla për drejtimin e partisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka mohuar raportimet për përplasje të brendshme në parti lidhur me rikthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe pretendimet për një garë të parakohshme për drejtimin e subjektit politik. Nura ka thënë se në PDK ka debate për çështje të ndryshme, por vendimet merren sipas vullnetit të shumicës. Ai ka mohuar se brenda partisë po zhvillohet ndonjë përplasje për pozitën e kryetarit. “Në PDK nuk ka asnjë luftë për të parin e partisë, nuk është duke u zhvilluar, nuk ka shtyrje me bërryla, sepse PDK është parti e konsoliduar”, ka deklaruar Nura. Ai ka mohuar gjithashtu që tërheqja e Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë të ketë lidhje me çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas Nurës, Hamza është tërhequr për arsye shëndetësore, ndërsa ka shtuar se ai ka qenë i gatshëm t’u krijojë hapësirë gjeneratave të reja dhe një gare të barabartë për kryetar të partisë. Nura ka paralajmëruar se pret që PDK-ja së shpejti të organizojë zgjedhjet e brendshme, përmes të cilave, sipas tij, do të dëshmojë pjekurinë politike dhe organizative.  “Unë individualisht kam qenë kundër kthimit të ligjit dhe kam qenë bukur i zëshëm që të mos kthehet, për arsye se mendoj që ai ligj vetëm filloi ta bëjë efektin e vet”, ka thënë Nura, duke iu referuar edhe reagimeve të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ndaj kësaj çështjeje.Ai ka vlerësuar se ligji ishte në interes të ish-krerëve të UÇK-së dhe të Kosovës, por se, sipas tij, rrethanat politike çuan në vendimin për kthimin e tij në Kuvend.

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK: Gjashtë vjet padrejtësi, Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale po na masakron të vërtetën

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar në gjashtëvjetorin e …