Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kundërshtuar kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvendin e Kosovës, duke e vlerësuar këtë veprim si të papërshtatshëm, ndërsa ka kërkuar që procesi i plotësimit dhe përmirësimit të dispozitave ligjore të vazhdojë pa vonesa. Në një deklaratë publike, Gjini ka theksuar se çështja duhet të trajtohet në përputhje me procedurat parlamentare dhe se Kuvendi duhet ta kuptojë rëndësinë e miratimit të këtij ligji. Ai ka paralajmëruar gjithashtu kryeministrin Albin Kurti që të mos e kushtëzojë votimin e ligjit me kërkesa të tjera politike, duke e cilësuar një veprim të tillë si gabim të rëndë politik, pasojat e të cilit, sipas tij, do të ishte vështirë të tejkaloheshin. “Janë disa rregulla prej të cilave ne nuk mundemi me dalë. Ekzistojnë rregullat në bazë të të cilave procedohen dhe votohen ligjet në Parlament. Prapëseprapë, besoj se Kuvendi i Kosovës e kupton peshën. Mendoj se ka me e bë njërin prej gabimeve më të mëdha, e gabime ka shumë në qeverisje dhe në udhëheqje të shtetit. Ka me qenë gabim prej të cilit ka me pasë zor me dalë”, ka deklaruar Gjini. Duke iu referuar afatit prej dy javësh për procedimin e mëtejshëm të Ligjit për Specialen, kreu i Aleancës është shprehur optimist se ky afat nuk do të tejkalohet. “Ne nuk abstenojmë, e vendosim prapë peshën tonë publike, që në këtë temë është jashtëzakonisht e madhe, dhe krejt peshën tonë e vendosim për me pasë një proces të pastër, që me i pa të liruar ish-krerët e UÇK-së”, ka thënë ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
