“Liria ka Emër” u drejtohet 720 eurodeputetëve, kërkon vëmendje institucionale për procesin në Hagë

Platforma Qytetare “Liria ka Emër” ka ndërmarrë një iniciativë drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian, duke kërkuar angazhim dhe shqyrtim institucional të çështjeve që lidhen me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, ka bërë të ditur se një letër me qëndrimet dhe kërkesat e kësaj nisme u është dërguar 720 deputetëve të Parlamentit Evropian, si dhe komisioneve përkatëse që merren me çështjet e drejtësisë.  “E kemi bërë një letër nga ‘Liria ka Emër’, ua kemi dërguar 720 deputetëve të Parlamentit Evropian dhe komisioneve përkatëse që merren me çështjet e drejtësisë. Në atë letër e kemi rikujtuar rrjedhën e gjithë sagës së drejtësisë së atyre që gjenden në Hagë dhe jo vetëm. I kemi paraqitur edhe shpjegimet e besimit tonë në vlerat universale, duke u mbështetur në premisat e Bashkimit Evropian dhe kulturës evropiane perëndimore”, ka deklaruar Tasholli. Ai ka bërë të ditur se dokumenti përmban një trajtim të gjerë të çështjes, ndërsa iniciativa synon që shqetësimet dhe kërkesat e platformës të mos mbeten vetëm në nivelin e reagimeve publike, por të shqyrtohen edhe nga institucionet kompetente evropiane. Përmes kësaj nisme, “Liria ka Emër” synon të hapë një komunikim institucional me Bashkimin Evropian lidhur me procesin në Hagë dhe standardet e drejtësisë që, sipas saj, duhet të garantohen gjatë zhvillimit të tij.

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK: Gjashtë vjet padrejtësi, Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale po na masakron të vërtetën

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar në gjashtëvjetorin e …