Në 28-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Xhelal Hajda – Toni dhe Selajdin Mullabazi – Mici, Daut Haradinaj ka përkujtuar me nderim të veçantë sakrificën, trimërinë dhe qëndresën e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës. Haradinaj ka vënë në pah vendosmërinë e dy luftëtarëve, të cilët, së bashku me bashkëluftëtarët Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri, u bënë pjesë e përpjekjeve të pandalshme për liri. Ai ka theksuar se lufta kërkonte burra me guxim, vendosmëri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, duke veçuar Tonin dhe Micin, të cilët për 15 muaj me radhë nuk u ndalën në rrugën e tyre të rezistencës. Haradinaj ka rikujtuar edhe plagët e shumta që ata kishin marrë nga i njëjti armik gjatë luftës në Kroaci, por që, sipas tij, nuk i kishin thyer. Përkundrazi, ato ua kishin forcuar edhe më shumë vendosmërinë për të vazhduar luftën deri në realizimin e aspiratës për liri. Në këtë përvjetor, kujtimi për Tonin dhe Micin mbetet nderim për një brez luftëtarësh që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës dhe për idealin për të cilin u flijuan.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
