Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se ka penguar fillimin e implementimit të kredisë prej 74 milionë eurosh nga Banka Zhvillimore Gjermane, e destinuar për modernizimin e menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës. Musmurati tha se dakordimi për këtë projekt ishte arritur që në tetor të vitit 2023, me përfshirjen e Qeverisë së Kosovës dhe gjashtë komunave: Prishtinës, Lipjanit, Drenasit, Kastriotit, Fushë Kosovës dhe Besianës. Sipas saj, ndonëse projekti ishte përgatitur në bashkëpunim me KfW-në dhe kompaninë rajonale KRM “Pastrimi”, ministri Hekuran Murati kishte ndryshuar qëndrimin dhe nuk po e nënshkruante dokumentacionin për fillimin e zbatimit. Musmurati pretendoi se ky ndryshim kishte ardhur pas zgjedhjeve lokale në Prishtinë dhe krijimit të koalicionit LDK-PDK, duke e lidhur bllokimin e projektit me zhvillimet politike në kryeqytet. Ajo tha se projekti parashihte furnizimin me 100 kamionë të rinj për grumbullimin e mbeturinave, 10 mijë kontejnerë, ndërtimin e një qendre moderne të riciklimit dhe kompostimit, si dhe një deponie moderne. Sipas Musmuratit, më 15 maj 2026, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryeshefi i KRM “Pastrimi” dhe përfaqësuesit e KfW-së i kishin dërguar letër ministrit Murati, duke kërkuar nënshkrimin e kredisë dhe nisjen e implementimit. Ajo theksoi se prokurimi dhe menaxhimi i mjeteve do të bëheshin nga Banka Zhvillimore Gjermane dhe kompania rajonale, ndërsa Komuna e Prishtinës nuk do të kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këto procese.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
