Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka deklaruar se Prokuroria e ka vërtetuar se ka pasur manipulime në çmimet e energjisë elektrike. Ajo ka theksuar më tutje se për shkak të këtyre manipulimeve të çmimeve gjatë tregtimit të energjisë elektrike, kanë pësuar të gjithë qytetarët e vendit. “Çështë e vërteta, për të njëjtat kompani që kemi folur edhe më herët, para një viti në këtë emision, janë në proces të rilicencimit, mirëpo edhe pse nuk është bërë rilicencimi, tregtia me energji është duke vazhduar njëjtë. 669 mijë euro për çdo ditë gjatë vitit 2026 importojmë energji elektrike, ndërsa në total deri më datën 1 tetor është importuar energji në vlerë prej 182 milionë eurosh. Pra, çdo ditë, verë e dimër, këta kanë importuar energji përafërsisht 700 mijë euro. Tregtia ka shkuar njëjtë, metoda ka qenë e njëjtë, kanë tregtuar energji si në pazar, kanë bërë tregti me tregtarët e tyre preferencialë dhe nuk i kanë dhënë llogari askujt” ka theksuar deputetja, Janina Ymeri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
