IKD: Mbajtja e pozitave drejtuese me ushtrues detyre për më shumë se dy vjet është në kundërshtim me ligjin

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka kritikuar praktikën e mbajtjes së pozitave të larta dhe të mesme në institucionet publike me ushtrues detyre, duke thënë se kjo dukuri është shndërruar nga përjashtim në normë. Duke iu referuar raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën, Shala tha se një nga çështjet që trajtohet në këtë raport është pikërisht vazhdimi i kësaj praktike në institucionet publike. Ai theksoi se, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, mbajtja e një pozite me ushtrues detyre për më shumë se dy vjet është në kundërshtim me ligjin. Sipas Shalës, edhe vendimet e nxjerra nga ushtruesit e detyrës në rrethana të tilla bien ndesh me standardet ligjore të përcaktuara nga Gjykata Supreme. Ai vlerësoi se kjo praktikë cenon parimet e qeverisjes së mirë dhe krijon pasiguri në funksionimin e institucioneve, pasi pozitat drejtuese duhet të plotësohen përmes procedurave të rregullta dhe jo të mbahen për periudha të gjata me ushtrues detyre.

Kontrolloni gjithashtu

Janina Ymeri: Prokuroria e vërtetoi se ka pasur manipulime në çmimet e energjisë elektrike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka deklaruar se Prokuroria e ka vërtetuar …