Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zhvilluar takime me strukturat udhëheqëse, bashkëpunëtorët dhe aktivistët e partisë në Mitrovicë dhe Vushtrri, në kuadër të bashkëbisedimeve me temën “Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit”. Gjatë këtyre takimeve është diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe sfidat me të cilat po përballet vendi, me theks të veçantë në mbrojtjen e dinjitetit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasojat e aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas Limajt, diskutimet janë përqendruar edhe te gjendja ekonomike, siguria dhe përkeqësimi i situatës sociale në vend. Ai ka shprehur shqetësim të veçantë për trajtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe kthimin e tij në Kuvend, duke theksuar se këto çështje kërkojnë qartësi, përgjegjësi dhe qëndrime të vendosura institucionale. Limaj ka vlerësuar se pasojat e aktgjykimit të 16 shtatorit nuk duhet të trajtohen vetëm si çështje që lidhen me individët e gjykuar, por, sipas tij, ato prekin edhe dinjitetin e luftës çlirimtare, themelet e shtetësisë dhe ndjenjën e drejtësisë në shoqërinë kosovare. Ai ka kërkuar që institucionet të veprojnë me përgjegjësi shtetërore dhe në interes të qytetarëve, përtej interesave të ngushta politike. Limaj ka bërë të ditur se takimet me qytetarë dhe strukturat e Nismës do të vazhdojnë edhe në qytetet e tjera të Kosovës, me synimin për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe pritjet e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
