-Enveri kishte shkruar në fletore atë që i tha në Dragobi në 7 maj 1970 malësori Ali Shabani se “Shqiptarin nuk e ka lindur Lokja prej barkut, por huta prej çarkut’’.
– Enveri mbante disa lloje kapelash. Më së shumti mbante një borsalinë të zezë franceze. Këpucët e preferuara qenë në ngjyrën e mjaltit.
– Dasmat e fëmijëve të Enver Hoxhës gjithçka qenë, por dasma jo. Ceremonitë qenë të thjeshta pasi Enveri thoshte ju prishim qetësinë qytetarëve
-Kur nisej në mëngjes në këmbë për në Komitetin Qendror vështronte përpara. Syzat e zeza nuk i hiqte kurrë. Asnjë roje nuk përshëndeste.
– Nuk i harroj ato momente kur e shikoja Enverin me libra në duar nëpër bibliotekën e madhe aty dukej sikur gjente qetësi
– Skënder Alikës i thoshte: – “Skënder! Je mirë? Të futa një herë në burg. Besoj se të ka bërë mirë’’. Skënder Alika shërbeu tek dera e dhomës ku flinte Enver Hoxha 15 vjet.
Albert Z. ZHOLI
Dosjet historike shpesh ruajnë të vërteta, dëshmi dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e një vendi dhe në jetën e njerëzve. Çfarë zbulojnë dokumentet për Enver Hoxhën, Kadri Hazbiun, Petro Markon, Kujtim Spahivoglin dhe Çe Guevarën? Cilat janë faktet, prapaskenat dhe episodet më pak të njohura që fshihen pas emrave të tyre? Për këto dhe të tjera çështje që ndërthurin historinë, politikën, kulturën dhe fatet njerëzore, zhvillojmë këtë intervistë, për të hedhur dritë mbi dokumente dhe ngjarje që vazhdojnë të ngjallin interes edhe sot.
-Si i kujton sot pas 5 dekadash ditët kur ishit në si roje shtëpinë e Enverit?
Pranë Enver Hoxhës kam shërbyer qysh në ditët e para të karrierës ushtarake. Ishte e pamundur që Enver Hoxhën të mos e shihja një herë në ditë. Unë nuk kisha asnjë lloj funksioni. Isha thjeshtë një roje i Gardës së Republikës. I vetmi peng nga ajo periudhë është se nuk bëra dot një fotografi me Enver Hoxhën. Pothuajse çdo ditë shkoj nga ish Blloku tek është vila 31, ku jetoi Enver Hoxha. Dikur kur bëja shërbim me tre turne dhe ndonjëherë dhe me dy turne numëroja pllakat e rrugicave, të korridorit dhe të trotuarit rrotull lulishtes. Për të shtytur kohën numëroja gjithashtu vazot me lule, trëndafilat, bredhat, manjolat, plepat dhe të vetmin lis, i cili u shkul kur u ndërtua shtëpia e re e Enver Hoxhës. Nuk lija pa i bërë “inventarin’’ dhe skulpturës në këndin e lulishtes. Ajo skulpturë është dhe sot. Natyrisht brenda lulishtes. Vitet e fundit, dhjetë metra më tej, u vra bankieri Santo, që ishte gjithashtu dhe poet. Enver Hoxha më kalonte tek këmbët kur isha në vendrojat fikse. Cepi i palltos së tij të zezë më ka prekur në një rast. Tani që jam thinjur e sjell në mendje. Atëherë ai qe i ri. I gjatë. I drejtë. Me ballin sa një gjysmë hëne që rrezatonte dritë. Mbante disa lloje kapelash. Më së shumti mbante një borsalinë të zezë. Këpucët e preferuara qenë në ngjyrën e mjaltit. Kur nisej në mëngjes në këmbë për në Komitetin Qendror vështronte përpara. Syzat e zeza nuk i hiqte kurrë. Asnjë roje nuk përshëndeste. Bënin përjashtim ata oficer që shërbenin në hollet brenda shtëpisë. Skender Alikës i thoshte tek dera e dhomës ku flinte: – “Skënder! Je mirë! Të futa një herë në burg. Besoj se të ka bërë mirë’’. Skënder Alika shërbeu tek dera e dhomës ku flinte Enver Hoxha 15 vjet.
Enver Hoxhën e kam parë nga disa kënde. Nuk i harroj ato momente kur e shikoja me libra në duar nëpër bibliotekën e madhe. Më ka qëlluar që të futem dhe në bibliotekë. Ika nga Garda dhe u ktheva kur Enver Hoxha kishte vdekur. Isha Kryetar dege kur pashë barbarët që nisën ta plaçkitin bibliotekën e Enver Hoxhës. Hajdutët me pushtet mbushën arkat me libra pa ju trembur syri. Një “personalitet’’ e kishte shtëpinë afër Presidencës. Me urdhrin e tij bashkë me dy koleg ngarkuam makinën me libra dhe i ngjitëm në katin e dytë të banesës. Pushtetari që mori librat ishte bërë funksionar i lart. Kishte botuar nja 30 libra. E kishim frikë. Të përzinte nga Garda e të flakte në rrugë. Ne të papunë kishim qenë. E mbaj mend kur nga njëra arkë ra një libër tek dera. I “madhi’’ qe futur brenda banesës së tij. E mora librin dhe e futa nën sqetull. Ishte libri “Dëborërat e Kilimanxharos’’ të Heminguejt. Ishte dhe firma Enver Hoxhës. Librin e ruaj në bibiotekën time. Po të mblidhen të gjitha vogëlimat e jetës së Enver Hoxhës do të delte një mal me libra. Kur e kam pyetur Sulo Gradecin për botën e Enver Hoxhës ai më tregoj një ngjarje. Zgjodhëm një kuzhinier nga Kukësi tregonte Sulo Gradeci. Sa ishte kthyer nga Franca. Kuzhinieri ishte nga fshati Borje i zonës së Gorës. Kishte bërë emër të mirë në Drejtorinë e Pritjes. Për këtë arsye e kishin dërguar në Francë që të specializohej. Ata të Parisit kuzhinieri i kishte mahnitur. Filloj punën si kuzhinier në vilën 31 ku banote Enver Hoxha me gjithë familjen. Qysh në fillim gatimet e “gegës’’ nga Borja e Kukësit i pëlqeu Enver Hoxha. Një drekë “gega’’ i shërbeu vet Enver Hoxhës. Kur mbaroi pjata e parë me supë ’’gega’’ i thotë Enver Hoxhës: -Enver! Po të hedh dhe një lugë tjetër. E kam “kripur’’ me erëza nga të malit të Shishtavecit. Enver Hoxha qe çuditur. Askush nuk kishte guxuar t’i fliste atij në emër. I gjithë personeli i druhej. Bile një berber nuk kishte mundur që ta qethte. Me gërshërë në dorë i vinte rrotull Enver Hoxhës dhe dridhej. Gërshërët nuk i “urdhëronte’’ dot. Më në fund Enver Hoxha qe ngritur pa u qethur.
-Dikur më ke thënë përgjsyëm një histori më kuzhinierin e shtëpisë së Enverit?
Po. Ma kujtove. Një kuzhinier i ri pa ju trembur qepalla guxoj t’i thoshte ’’Enver’’ sikur t’i kishte prerë kërthizën. Kështu thoshin anetë në Gjirokastër. Nexhmije Hoxha që gjithashtu po hante drekë kishte mbledhur vetullat. Enver Hoxha veproi siç i tha ’’gega’’. E hëngri dhe pjatën e dytë me supë. Pastaj Enver Hoxha e kishte pyetur sesi ishte bërë kuzhinier kaq i mirë. Dhe “gega’’ i Borjes i qe përgjigjur shkurt: – Enver! Unë e kisha vëllanë e madh kuzhinier në Shtëpinë e Oficerëve në Kukës. Baba më dërgoj pranë tij që të mësoja zanatin. Ashtu bëra. Por unë nuk e dëgjoja vëllanë. Një ditë vëllai u mërzit. Ai mori hanxharin dhe më qëlloi mes për mes ballit. Vështroje Enver! Edhe tani plaga e hanxharit ngjan si Përroi i Gurit të Shqipes në fshatin tim Borje. Qëndrova gjashtë muaj në Spitalin Ushtarak. Qysh atëherë vura mend. Dhe u bëra kuzhinier më i mirë se vëllai. Enver Hoxhës ky detaj i kishte bërë përshtypje. Dhe ndonjëherë kur hante drekë e ulte në tavolinë “gegën’’ dhe bisedonte me të si dy miq. Bukën kuzhinieri e përgatiste me thekër nga e fshatit Tërshana pas malit të Gjallicës. E dinte që Enver Hoxha ishte me diabet. Mijëra orë i gdhiva nëpër vendroje dhe sigurim rruge kur Enver Hoxha lëvizte nëpër Shqipëri. Çfarë nuk dëgjova?
-Por nga të gjitha na thuaj më pikantet…Besoj janë shumë?
Një gjë po e shkruaj me germa të mëdha. Në Bllokun e udhëheqjes vinin shpend që nga veriu i Evropës. Baçet e udhëheqësve qenë plot me nuselale, kunadhe e ketra. Në Pallatin e Brigadave për shkak të pyllit “këndonin’’ tufat me dhelpëra. Çudia qëndron se aty ku është Kasollja e Bujkut u pa dhe një ujk. Askush nuk e shpjegon dot se si e kapërceu ujku murin e Pallatit të Brigadave. Egërsirat e ndjenin “lumturinë’’ se i mbronin rojet e Gardës. Dhe kishin ushqim të bollshëm. Por në familjet e Bllokut lumturia nuk u pa kurrë. E pyeta Sulo Gradecin tek po mblidhja të dhëna për Doktor Ibrahim Dervishin, në duart e të cilit kishte dhënë shpirt Nako Spiro, nëse qe i lumtur Enver Hoxha. Një m. . . mu përgjigj ai në shtëpinë e tij. I kisha shkuar për vizitë pasi ai doli nga burgu. Për Ramiz Alinë, Sulo Gradeci volli vrer. Kokë kauçuku qe frikacak tha ai. Dasmat e fëmijëve të Enver Hoxhës gjithçka qenë, por dasma jo. Ceremonitë qenë të thjeshta. Nuk u thye një qelq. Vet Enver Hoxha as këndoi, as u ngrit në valle dhe as ngriti ndonjë dolli. Rrinte i menduar përpara gotës së rakisë. Të mos bëhet zhurmë porositi ai. U prishim qetësinë qytetarëve të Tiranës së Re. Disa nga miqtë e mi nuk po i botojnë kujtimet e atyre që ja njohin dhimbjet Enver Hoxhës. Kështu profesor – doktor Përparim Lika po i mban në sirtar kujtimet e të atit, Halim Zanos, i cili i ka shkruar rrëfimet me dorën e tij. Halim Zanua qëndroi pranë Enver Hoxhës 30 vjet. Janë mbi pesëqind faqe. Halim Zanua tregonte në Drizar të Mallakstrës, ku kishte vendlindjen, se ai kishte parë në studion e Enver Hoxhës, nën xhamin e tavolinës ku punonte, të shkruar me shkrimin e tij të dorës atë që i tha në Dragobi në 7 maj të vitit 1970 malësori Ali Shabani se: – “Shqiptarin nuk e ka lindur Lokja prej barkut, por huta prej çarkut’’.
Nëpër arkiva hulumtojë dhe silloisem. I kujtoj ato vite kur tek Enver Hoxha isha thjesht një roje.
-Si ishte në sytë e tu Enver Hoxha?
Në sytë e mi Enver Hoxha ishte tjetër njeri në mëngjes, tjetër në drekë e tjetër në orët e vona. Isha i ri dhe në mendjen time prej fshatari gjykoja se udhëheqësi ishte vet Zoti lart. Vitet rrodhën. Unë u largova nga Garda dhe Enver Hoxhën e kam parë vetëm në ekrane. Shumë ngjarje dramatike ndodhën në Shqipëri. Komplote, gjyqe, vrasje, internime e drama të panumërta. Nuk kam pse ta fsheh. Zhgënjimet kanë qenë të mëdha. Çfarë më mbetet nga ai “aktori’’ i dikurshëm i Bllokut? Përgjigjet janë të verbëra. Në dy hektar Bllok u pushkatuan pesë Anëtar të Byrosë Politike dhe shtatë Anëtar të Komitetit Qendror. Vetëm nga Blloku janë internuar dhjetë familje udhëheqësish. Jashtë Bllokut shifrat janë dhe më të tmerrshme. Analiza e imët më bën gur. Dhe duke gërmuar nëpër arkiva e pyes veten?- Ç’u bë ai ’’Enveri’’ me libra në duar, ku poshtë dritares unë bëja roje? Idhulli im shkërmoqet. Megjithëse bëri punë e vepra të mira ai mbetet një përbindësh enigmatik, që duhet studiuar.
Studiuesi që gjurmon nëpër arkiva shpesh ndodhet në mes të katër udhëve. Për një personazh të historisë ato që mbledh nëpër humnerat e arkivave shpesh janë të pavërteta. Për fatin e njeriut kjo është e tmerresh më.
-Kush nga pushkatimet të duket më e çuditshme dhe e pabesueshme nga shokët e Enver Hoxhës?
Prej vitesh qëmtoj për një nga figurat misterioze siç është ajo e Kadri Hazbiut. Një jetë qe lule me erë në malin e Korabit. Por krejt papritur e përlau cikloni i luftës për pushtet dhe atë e pushkatuan. Fundi qe i llahtarshëm. Në çastin kur më 14 tetor të vitit 1982 i hodhën hekurat Kadri Hazbiut ja shkulën të 36 dhëmbët dhe dhëmballët. Kishin frikë se mos ai për të mos treguar veprimtarinë agjenturore me dhëmbët gjysëm të florinjtë kafshonte gjuhën, e përtypte atë si bërxollë dhe vdiste duke krijuar një enigmë të madhe. Shefi i hetuesisë që kishte qenë 30 vjet vartës i Kadri Hazbiut me ta ulur në karriken e hetuesisë i thotë:- “Ose trego veprimtarinë agjentuorore ose unë të q… nënën!’’ Kjo shprehje gjendet në Arkivin e Shtetit. Është një letër e gjatë që Kadri Hazbiu me dhëmbët e shkulur ja shkruan Enver Hoxhës. Tani përditë vitrinat e librave dhe faqet e gazetave mbushen me legjenda nga jeta e këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Pyetja shtrohet: – A ishte Kadri Hazbiu agjent i zbulimeve të huaja? Po e them me gojën plot se Kadri Hazbiu nuk ka qenë agjent i ndonjë zbulimi të huaj. Natyrisht që ka bërë krime. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Të gjithë ministrat e brendshëm u pushkatuan. Edhe fati i tij s’mund të ishte i tjetërllollojtë.
Gërmimi në mijëra faqe në Arkivin e Shtetit dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme për të gjetur ndonjë thërmijë nëse Kadri Hazbiu u shërbente agjenturave na çoj në një hiç. Nuk gjendet asnjë provë e vetme që ta vërtetojë akuzën e Enver Hoxhës. Një gjë del si drita e diellit. Si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu nuk e donin socializmin, që pretendonte ta ndërtonte ai që e kishin si shpatë mbi kokë. Kadri Hazbiu i varrosi tre gjeneralët, Beqir Ballukun, Hita Çakon dhe Petrit Dumen në Vranisht të Lumit të Vlorës pa e njoftuar fare Enver Hoxhën. Pas vdekjes së udhëheqësit dhe ndyshimit të regjimit Kadri Hazbiu do t’i zhvarroste miqtë e tij me ceremoni. Dosja e Kadri Hazbiut është qepur sipas urdhrit të Hekuran Isajt dhe të tjerëve. Enver Hoxha e thotë shpesh se veprimtarinë agjenturore të puçistëve e ka zbuluar partia. Broçkulla. Partia nuk ishte në qiell. Dhe vet Enver Hoxha nuk ishte agjenturist. Në përplasjen e parë me Enver Hoxhën, Kadri Hazbiu, i thotë shefit të tij: – “Asnjë sekret nuk ju mbaj shoku Enver!’’. “Teme Sejkon e kanë mbytur Rexhep Kolli me Mihallaq Ziçishtin’’. I nervozuar Enver Hoxha e kërcënon:- “Do të varesh ti Kadri!’’. Dhe ja përgjigja e Kadri Hazbiut: – “Po mirë o, le të varem!’’, “Jo të shtrembërohen gjërat shoku Enver!’’. Edhe nëse i kam thënë Feti Smokthinës, ’’O gomar!’’, kjo nuk është veprimtari armiqësore. ’’Nuk është e vërtetë se jam vënë në shërbim të zbulimit jugosllav nga Dushan Mugosha!’’.
Në dy mijë e ca faqe që shfletova nëpër arkiva del se e gjithë kjo katrahurë u bë në luftën për pushtet. Në mbledhjen e Plenumit të 5 -të të Komitetit Qendror të vitit 1982 Enver Hoxha i thotë Kadri Hazbiut: – “Do të arrestojmë!’’. “Partia ime më arreston’’ i përgjigjet Kadri Hazbiu. Të gjitha janë marrëzira. Partia nuk është prokurori. Po i tillë ishte diktatori. Nuk ka si ai. Edhe Lenini i tha Trockit: – “Juda Trocki!’’’. Por nuk e eliminoi. E mbajti ministër të luftës. Kurse Enver Hoxha nuk lëshonte pe. Të gjithë i shkoi në hellin e plumbit.
-Pyetja shtrohet: – Përse e gjithë kjo tragjedi në kupolën e Komitetit Qendror?
Përgjigja nuk është shumë e zorshme. Pas infraktit të parë që pësoi Enver Hoxha filloj me makth lufta për t’i zënë vendin. Megjithëse ka shumë kundërshtime që nga vet Enver Hoxha hijenat e luftës për karrigen thanë se e hoqën qafe Hysni Kapon si njeriun mw besnik. Në të vetmen çështje Enver Hoxha i beson shkencës dhe raportit mjekësor që erdhi nga Franca. Enver Hoxha i zbërthen dhëmbët dhe dhëmballët Vito Kapos. Në arkiv është dhe letra që ai i ka shkruar. “Rri urtë’’ i shkruan Vitos. ’’Hysni Kapua vdiq nga kaceri’’. Intrigat filluan ta ënjtin. Në mendjen e tij filloj të prodhoheshin fantazma me komplotist. Por nuk kishte asnjë provë dhe dëshmi. S’kishte asnjë të dhënë nga Sigurimi i Shtetit. Grimca. Enver Hoxha nuk ka pasur asnjë fakt kur ka shkruar tek “Tabloja Sinoptike’’ se “Mehmet Shehu është takuar me Titon, me Çurçillin dhe me Hari Fulzin gjatë udhëtimit me vaporin anglez, “Kuin Elizabet’’. Nuk ka qenë fare e vërtetë. Gjatë debateve me Enver Hoxhën, Kadri Hazbiu ia thotë shqeto: -“Këto nuk janë gjë tjetër veçse shpifje monsturoze’’. Kadri Hzbiu e ka hedhur poshtë me neveri atë që i kishin thënë Enver Hoxhës se “puçistët’’ do të rrethonin me tanke Komitetin Qendror. Gjoja do të bëhej “stërvitje’’. Edhe për vrasjen e Alush Lleshanakut, Kadri Hazbiu është i qartë. Ai i ka thënë Enver Hoxhës: – “Për vrasjen e Alush Lleshanakut kam evidencuar tek ministri i brendshëm si diçka që vlen të sqarohet gjatë zhvillimit të hetuesisë’’. Por Enver Hoxha nuk takohej me asnjë drejtues të Sigurimit të Shtetit, të policisë, hetuesisë apo të zbulimit të jashtëm.
I gjendur mes vargmalit të shkresave në Arkivin e Shtetit, të Ministrisë së Brendshme dhe në Bibliotekën Kombëtare e kam pyetur veten: – Çfarë ndodhi? Përgjigja është se Enver Hoxha u vetizolua. Lexuesi nuk e di që krimet më të mëdha të asaj periudhe i kanë bërë hetuesit. Ata ishin përbindëshat. Hetuesit i dërgonin Enver Hoxhës ato të dhëna që i donte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror për fjalime. Ato që ka thënë Fiqirete Shehu në hetuesi nuk janë të vërteta. Skenari u përgatit në hetuesi. Fiqirete Shehu firmosi për ato që i kishte shkruar grupi i hetuesve. Ajo i lexoi dhe u regjistruan në magneton, të cilat i dëgjojë vet Enver Hoxha. Fiqirete Shehu u habit kur i thanë se ajo e kishte pseudonimin “Fisari’’. Torturat e hetuesve janë të paimagjinueshme. Të gjitha faktet shtrembëroheshin. Ashtu fije – fije i shkonin Enver Hoxhës. Është e vërtetë ajo që Kadri Hazbiu i tha Fiqirete Shehut gjatë ballafaqimit në hetuesi se: – “Ti i zbathë brekët’’. Kjo e thënur metaforike e Kadri Hazbiut i shkoi Enver Hoxhës me shumë “mballoma’’. Udhëheqësit ju tha se Kadri Hazbiu e qortoi Fiqirete Shehun se ajo tregoi “komplotin’’. Kadri Hazbiu me shprehjen “i zbathe brekët’’ i tha Fiqirete Shehut se ajo u tremb dhe filloi të shpif. Nga frika foli për ato që nuk kanë ndodhur. Kadri Hazbiu e thotë në hetuesi se ai e ka njoftuar partinë se i dashuri i Marjeta Shehut ishte diplomati francez Alen Zherom. Ja dhe një pohim tjetër i Kadri Hazbiut: – “Kur u bë Radjoloja qendra e zbulimit amerikan pyeti se ku ndodhej Beqir Balluku, Liri Belishova dhe Koço Tashko. Për këtë kam bërë njoftimet përkatëse’’.
Veprimtaria e Kadri Hazbiut sipas dosjeve në arkiv, por dhe nga dëshmitë e atyre që e kanë njohur dhe janë gjallë nuk e nxjerrin atë “engjëll’’. Ishte e pamundur në kushtet e diktaturës që Kadri Hazbiu t’i shpëtonte kafshimit të gjarprit. Ai e ka takuar në burg Petro Markon. Shkrimtari i është ankuar se po e akuzojnë si agjent të amerikanëve. Pasi e ka dëgjuar Kadri Hazbiu ka ndërhyrë që Petro Marko të delte në gjyq dhe të mos e kalbin në qeli pa e marrë në pyetje. Gjatë hetimit që i është bërë Kadri Hazbiut atij hetuesit i kanë kërkuar nëse ai ishte takuar pas burgut me Petro Markon. Kadri Hazbiu, i cili habitet që e paskan ndjekur, e pranon se pasi ka dal nga burgu e ka takuar shkrimtarin Petro Marko. Ai i ka kërkuar që ta ndihmonte me materiale për Halim Xhelon. Përpara hetuesve Kadri Hazbiu në vitin 1982 thotë: – “Konkluzionet që ka arritur udhëheqësi i partisë mbi mua janë të gabuara’’. Për një informacion të pasaktë të Lirim Pëllumbit, Kadri Hazbiu, thotë për të: – “Gomarit edhe shalë po t’i vënë, prap gomar mbetet’’.
-Po Enveri i mirte të gjitha parasysh sa fjalë i ofronin?
Enver Hoxha shpesh nuk ua vërshëllente atyre informacioneve që Ministria e Brendshme ja çonte në tavolinë. Vlerësonte ato të dhëna që i merrte drejpërdrejt nga njerëzit e tij besnik e të afërt. Ramiz Alia kishte shkuar për vizitë në rrethin e Kukësit. Qe nisur dhe në Shishtavec për të pirë një kafe. Në anë të rrugës në fshatin Topojan kishte parë disa malësor me kosa në duar. I kishte pyetur malësorët dhe ata i kishin thënë midis të tjerave se vlera e ditës së punës ishte ku thërret qameti. Mezi i mbanin familjet me bukë. Në takim Ramiz Alia i kishte befasuar malësorët me një pyetje: – “Përse ka kooperativë këtu në Topojan’’?. Kur Ramiz Alia u kthye në Tiranë i raportoi Enver Hoxhës për vizitën në Kukës. Enver Hoxha pasi e kishte dëgjuar i kishte thënë: – “Pse nuk e dije ti Ramiz se Topojani mes maleve është kooperativë bujqësore?’’. Dhe menjëherë pas takimit Ramiz Alia kishte përfunduar në kardilogjinë e Klinikës Qeveritare. Po kështu kishte ndodhur dhe me një rast tjetër aty ku është Blloku. Në fund të rrugës “Pjetër Bogdani’’, ballë për ballë me ish dyqanin e Udhëheqjes, ka qenë një tavernë. Xhambazi i lagjes Dunavat, që po kërkonte të takonte Haki Toskën futet në tavernë. Në një tavolinë pinte birrë i ati i Enver Hoxhës, Halil Hoxha. Xhambazi flet me të zotin e tavernës dhe i thotë që me përjashtim të Halil Hoxhës klientët e tjerë do t’i nxjerrësh nga lokali. Për koston e taverrnës do të paguaj unë. Dhe i zoti i lokalit ashtu bëri. Filloj mishi, rakia dhe kënga labe. Xhambazi i tha Halil Hoxhës arsyen se përse donte ta takonte Haki Toskën, që ishte Ministër i Financave. Shteti tu hiqte taksën. Nuk e paguanin dot. Kur Halil Hoxha vajti në shtëpi i tregoj Enver Hoxhës se ç’i kishte ngjarë me xhambazin e lagjes Dunavat. Të nesërmen pasi xhambazi u takua me Haki Toskën ky ia thotë Enver Hoxhës hallin e xhambazit. Dhe Enver Hoxha i tregoj atë që i kishin parë sytë të atit, Halilit, në tavernën përpara Bllokut. T’i paguaj taksat një për një kishte thënë Enver Hoxha. Për këtë të dal dhe një qarkore e Ministrisë së Financave. Kaq kishte dashur Bexhet Mema, i cili ishte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastrës. Ata që nuk i paguanin taksat në Lunxhëri, i lidhte me tel me gjemba dhe i shëtiste fshat më fshat dhe të lidhur i shpinte në burg në Gjirokastër. Qysh atëherë askush nuk guxonte që të mos i paguante taksat.
Kot po vuaj nëpër arkiva e duke marë intervista. Askush nuk mund t’i qaset figurës misterioze të Enver Hoxhës. Ai e ka lënë në baltë Stalinin.
– Pse e ka lënë në baltë Stalinin?
Në vitin 1978 u ndodha me shërbim në Gjirokastër kur në qytetin e tij të lindjes Enver Hoxha bëri vizitën e tij të rrallë. Siç thanë Enver Hoxha donte ta shikonte qytetin e fëminsë pa u bezdisur nga njerëzit. U nis që nga vila në lagjen “11 janari’’ drejt Qafës së Pazarit afër mesnatës. Po kur mbrriti aty gjirokastritët e rrethuan. Gjëmonte kënga dhe vallja. Që nga lagja “11 janari’’ i vunë flakën sazezhinjtë. Më tregun se lëviznin gurët e sokakëve. Nëpër dritare mbanin vesh të moshuarit. Policia e sidomos shoqëruesit e Drejtorisë së Dytë u alarmuan. Enver Hoxha po lëvizte pa lajmëruar njeri. Pas tij ishte vetëm Sulo Gradeci dhe Nexhmije Hoxha. Nisën të zbresin lazaratasit dhe mashkulloritët me kuaj. Po kështu lunxhiotët dhe libovitët. Enver Hoxha lëviste pa masa operacionale. Pa mbrritur në Grapsh të Dropullit Divizini i Janinës u ngrit në gadishmëri. Posta kufitare greke në Kakavijë u mbush me flamuj si në festë. Shumë vite më vonë kur kam parë filmin “Parruallat me gur’’, me skenar të Ylljet Aliçkës dhe regji të Gjergji Xhuvanit, kam thënë se kjo është një përrallë e keqe. Nuk ka ndodhur kështu. Sa mjegull ka rreth kësaj figure. Gjatë vizitës në Gjirokastër Enver Hoxha me dëshirën e tij vajti në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Ishte mbledhja e radhës. Diskutohej për ruajtjen e vlerave të qytetit muze. Problem ishin ndërtimet e reja. Pati diskutime të shumta. Enver Hoxha dëgjonte. Më në fund e mori vet fjalën. Mirë, mirë tha Enver Hoxha. Por kur të ndërtoni pyesni dhe Përroin e Çullos. Ky përrua është i egër. Vjen nga shpati i Malit të Gjerë. Është në krahun e djathtë të lagjes Palorto, ku kishte kaluar fëmininë Enver Hoxha. Kur kishte rrebeshe e stuhi Përroi i Çullos bëntë hatanë. Shkëmbinjtë e malit të Gjerë i vinte përpara dhe i shpinte tek Ura e Lumit. Në të dy krahët e tij nuk mund të ndërtoje pa studime të sakta. Këtë e dinte mirë Enver Hoxha. Prandaj në mbledhje tha: – Kur të ndërtoni mos harroni që të pyesni dhe Përroin e Çullos. Gjithsesi vizita e Enver Hoxhës në Gjirokastër më ka vënë në mendime. Ç’ishte ai shkëlqim? Me firmën e tij qe vrarë Bari Omari dhe shumë bashkëpunëtor të ngushtë. Rradhën e kishte Mehmet Shehu. E megjithatë misteret vazhdojnë. Kur Enver Hoxha mbaroj vizitën në Ksamil u kthye nga bregu i detit. Pa hyrë në Himarë ai mbolli një ulli të vogël. Në vitet e para të demokracisë vendasit e shkulën ullirin dhe e mbollën në një kodër të lartë, që të mos e dëmtonin vandalët. Kur shërbeja në Garadë një gazetare greke që e kishte emrin Marta më kërkoi ta çonim atje ku Enver Hoxha kishte mbjellë ullirin. Vendasit na thanë se ullirin e Enver Hoxhës e kanë shkulur dhe e kishin mbjellë në mënyrë sekrete lart në qafë. Në pyllin me ullinj të mos merrej vesh se cili qe ulliri që e mbolli me dorën e tij Enver Hoxha. E kërkuam me gazetaren, por nuk e gjetëm. Martës i mbeti merak që nuk e fotografoj ullirin e mbjell nga dora e Enver Hoxhës.
Enver Hoxha ishte dhe një psikolog i mirë. E vunë në djeni Besnik Bekteshin se e priste Enver Hoxha në zyrë. Dhe Besnik Bekteshi për një muaj nuk vuri gjumë në sy. Studjoj aq shumë sa u thinj. Më në fund e priti Enver Hoxha. Qysh sa i dha dorën Enver Hoxha i tha Besnikut se ishte i brengosur. Qe i pakënaqur me ekipin e futbollit të ekipit të ’’Vllaznisë’’. I foli për Ragamin dhe Sabah Bizin. Por dhe për futbolistët e tjerë. I njihte një për një. Kush qe i martuar dhe kush jo. Ua përmendi dhe biografitë. Besnik Bekteshi që nuk e priste mbeti pa mend. Nuk foli fare. Pas dy ditësh e bën Anëtar të Byrosë Politike.
Paçka se Enver Hoxhës i merrnin shumë kohë luftrat e brendshme dhe ato të politikës së jashtësme, gjë që ndikoi dhe në shëndetin e tij, për çështje të mprehta ai shndërrohej në “luan’’. E ka treguar vet Nexhmije Hoxha. Enver Hoxha u njoh me suksesin e madh të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve në Dizhon të Francës, por dhe me provokacionin e rëndë të qarqeve shoviniste në Francë. Kur Enver Hoxha e mori vesh filloj të fliste me vete në studion e tij e ka vazhduar tregimin Nexhmije Hoxha. I dha ministrit të jashtëm disa porosi. Pas shumë ndërhyrjesh u lidh me ministrin e brendshëm të Francës. Dhe u qetësua pas bisedës në telefon me këngëtaren Vaçe Zela. Fjalët kurajoze të Vaçe Zelës e sollën në vete. Pastaj u ul në tavolinë dhe nisi të shkruaj me shkrim dore në ditarin e tij, që e qëndiste për ditë.
Në jetën e Enver Hoxhës nuk kishte kohë boshe. Për çdo orë kishte një program. Vinte kasetofonin dhe dëgjonte këngë labe. Këndonte dhe vetëm. Ndonjëherë i thoshte Nexhmijes që ajo t’ja bënte iso. Në Gjirokastër këndojë me Xhevat Avdallin. Gjirokastritëve u tha se i vinte keq që djemtë e tij nuk kishin mësuar të këndonin labçe. Herë pas here recitonte vargje nga ato të këngëve labe. Kur ishte në vështirësi sillte në mendje ato vargje që i jepnin forcë. Vargjet: – /Kam përpara një kala/ /Do më hajë a do ta ha!/ kanë qenë të preferuara prej tij. Kur do të shkonte për vizitë në Mashkullorë u përgatitë deri në orën tre të natës. Shkruante dhe këndonte këngën e Çerciz Topullit. Këtë ja tha dhe popullit të Mashkullorës kur tek rrapi u ul me ta këmbëkryq.
Të qëmtosh thua më thua jetën e Enver Hoxhës është e zorëshme. Kjo është njëra anë. Por drama qendron tek lexuesit dhe sidomos tek ata të cilët e kanë idhull Enver Hoxhën. Ja një fletë nga pema e tregimeve të Sulo Gradecit. Enver Hoxha kishte bërë një ndërhyrje të lehtë në syrin e djathtë. Mjekët ja kishin izoluar syrin me fasho. Një mbasdite Enver Hoxha do të zbriste me ançesorin e vendosur në godinën e Komitetit Qendror. Pas Enver Hoxhës ishte Sulo Gradeci dhe Nexhmije Hoxha. Në çast mbrriti açesori. Nexhmije Hoxha çoç i tha në krahun e djathtë Enver Hoxhës. Ai vetëtimthi ktheu kokën nga krahu i syrit të fashur. Dhe e përplasi ballin në mur. Enver Hoxha siç qe e qëlloi me pëlllëmbë Nexhmije Hoxhën. Këtë ndodhi e kam shkruar dhe e kam sikterrisur disa herë. Në dy – tre gazeta nuk ma kanë botuar. Mos e boto më kanë thënë gjithashtu miqtë. Nuk qëllonte me pëllëmbë Enver Hoxha. Çmendurira. Enver Hoxha ishte diktator dhe bënte dhe gjëra të tjera, të cilat lexuesi i kohës tonë nuk ja merr mendja. Edhe koka edhe dora e tij ishin sëpatë. Shoqëruesit tregojnë se kanë parë Ramiz Alinë të vrapojë në koridoret e Komitetit Qendror. “Po vjen shoku Enver’’ ka thënë ai nëpër dhëmbë.
– Për jetën e Enver Hoxhës qarkullojnë shumë gojëdhëna. Pse?
Në socializëm u shkruan libra, filma, drama, opera e u kënduan qindra këngë. Edhe në vitet e demokracisë nga një kënd tjetër gjithashtu po shkruhen libra e filma pa fund. Edhe në të ardhmen do vazhdoj kjo odise. E tillë ishte jeta e Enver Hoxhës. Në rrugën ’’Mihal Grameno’’ ka banuar valltari i papërsëritshëm Besim Zekthi. Prej shumë vitesh e pinim kafen së bashku. Dhe më të rrallë dhe ndonjë gotë verë. Besim Zekthi u nda nga kjo jetë pa u “vjel’’ mirë, jo si valltar se vepra e tij është dokumetuar dhe filmuar, por ai qe një thesar me kujtime. Në mendje më ka mbetur shprehja e tij:- “Turp tu vij atyre që nderet e Enver Hoxhës i bëjnë hasha!’’. Dhe i ilustronte me disa figura të artit, të cilët Enver Hoxha i mbajti në pëllëmbë të dorës. U dha detyra të rëndësishme, apartamente banimi, leje krijuese, i specializoi jashtë shetit, u dha studjo për të krijuar e të tjera e të tjera. Dhe pikërisht këta “veqil’’ me të ardhur demokracia i përmbysën të gjitha të mirat. Vjellin vrer. Besim Zekthi më ka folur për kujtimet që ka nga takimet me Enver Hoxhën. Në një rast Enver Hoxha kishte marrë pjesë në një koncert që kishte dhënë Ansambli i Këngëve dhe i Valleve. Besim Zekthi kishte interpretuar rolin kryesor tek “Vallja e Shqipeve’’. Pas shfaqjes Enver Hoxha e kishte falenderuar Besim Zekthin. I kishte bërë vetëm një vrejtje të “vogël’’. Mirë Besim! Por mua mu duk sikur je i shkëputur nga masat. Ti Besim fluturoje si shqiponjë, por shqiponjat nuk fluturojnë vetëm. Bukuria e tyre në qiellin e kaltër qëndron se ato atje lart vallëzojnë në grup. Unë i kam parë në kreshtat e Malit të Gjerë që kur isha fëmi.
Për figurën e Enver Hoxhës nuk gjen ndonjë gjë të madhe nëpër arkiva. Vet Enver Hoxha ka shkruar e botuar ato që ai i quante diamante për brezat. Po ato “vogëlimat’’ ku janë? Një kal me dokumente janë ish oficerët e Gardës. Ata e bënin “pronë’’ të tyren gjithçka që i ndodhte Enver Hoxhës. Dihet që Enver Hoxha nuk e ka zënë kurrë në gojë atin e tij, Halil Hoxhën. Asnjëherë nuk pinë kafe bashkë. Të dy babë e bir në një rast janë grindur keq. Ishte pushkatuar Bari Omari. Mulla Halili[Kështu e thërrisnin në Gjirokastër Halil Hoxhën. Ishte fetar prandaj i thërrisnin Mulla Halili. Edhe Enver Hoxha ka besuar në zot. Këtë ma kanë thënë dikur në rini të gjithë të moshuarit në lagjen’’Palorto’’]. Një ditë Mulla Halili i kërkoi Enver Hoxhës lekë se do shkonte të takonte nipërit. Enver Hoxha ja kthen aty për aty. Ik puno që të marësh para. Mulla Halili revoltohet dhe i përgjigjet: – “Ti të me keshe vdekur, dhe jo djali tjetër Beqiri, që ma hëngri turbekulozi. Ti mo ti të keshe vajtur në stodhjallo! Më more tokat tek Ura e Lumit dhe në Grapash. Edhe Vraho – Goranxia e imja ka qenë. Tregojnë se Enver Hoxha qe habitur me ato që i tha Mulla Halili. Nuk i kishte folur. Kjo “ciflosje’’ brenda në shtëpi mes Mulla Halilit dhe të birit Enver Hoxhës doli jashtë Bllokut me shpejtësinë e dritës. Në Qafën e Pazarit gjirokastritët i thoshin Mulla Halilit. Po si i the ashtu shokut Enver? Mirë ja bëra që ja thaç mo gaz përgjigjej ai! Enveri na mori tokat. Jo vetëm mua, por të gjithë gjirokastritëve. Na ka mbetur vetëm Përroi i Çullos! Le të na marrë dhe të na çojë në Drino! Dhe Mulla Halilin e rrethonin të kushërinjtë që mblidheshin tek Klubi i Gjuetarëve. Pinin raki dhe këndonin labçe. Mulla Halili zotëronte turqishten dhe persishten.
Qëmtimet nëpër jetën e Enver Hoxhës të befasojnë.
Një kolegu im Maksi Milori shërbente me mua në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit 326. Në socializëm Maksi kishte qenë pranë Enver Hoxhës. Në një protestë të viteve nëtëdhjetë vandalët na vunë përpara tek Xhamija e Hetem Beut. E dogjën dhe klubin e Ministrisë së Brendshme. Aty ku është Bashkia e Tiranës sot vandalët e rrezikuan Maksi Milorin. Me skarfandë në dorë i erdha në ndihmë. Pasi u qetësua situata i thashë Maksit në kafene se ai nuk luftoi shumë. Ti ke qenë a derëbardhë i thashë tek Enver Hoxha. Maksi mu përgjigj. Unë kam qenë tek Komandanti i Përgjithshëm. Por më së shumti piqja mishra në hell. Jam progonatas dhe isha mjeshtër i pjekjes së mishrave në hell. Më mbante sehir Enver Hoxha. Unë kaq desha. E pyeta: – O Maksi! A hante mish të pjekur Enver Hoxha sa të velej si ne lebërit?. Ç’thua o derëzi ma ktheu Maksi! Enver Hoxha mbante djetë. E shumta do hante një brinjë keci. Jetonte me një regjim që të linte pa mend. Kishte të tjerë si Pali Miska që e kollofiste një qengj sikur të ishte ujk.
Për ta qepur me pe këtë ese shkrova dhe fshiva fakte, detaje dhe thërmja metaforike të panumërta. Ato më së shumti ishin furka për kronika autobiografike. Disa ishin të njohura e të tjerat hamëndje të pabesueshme. Më kanë munduar pyetje sfilitëse. Shkruaj dhe gris. Disa kapituj e paragrafe u vura kryq. Jo e jo e jo! Kjo e thënur e Enver Hoxhës nuk e ka pikën e parë të burimit. Është e thënur gojore. Këtë mendim e mbronte dhe miku im Moikom Zeqo. Ai ma ka thënë disa herë se shprehjen: – /Shqipëri të kam dhjerë/ /Nuk të mora vesh njëherë/. Është e eseistit të madh Faik Konica. Ai nuk e ka shkruar. Dëgjuesi i parë e vlerësoi këtë që tha Konica dhe e përcolli tek të tjerët. Dhe mendimi i madh metaforik i Konicës, i thënur krejt rastësisht, sot përdoret nëpër tavolina dhe takime akademike. Gjithsesi për shkrimin që kam në duar jam trembur se mos them ndonjë gjë të pakryer nga Enver Hoxha. Kështu prisha e ndreqa një vandak me blloqe shënimesh. Kurrë nuk i numërova faqet, që i bëra çika – çika. Dhe nga ankthi i papërcaktueshmërisë e katandisa “kokoshin një thelë’’. Pyet e pyet: – A i ka ndodhur kjo ngjarje Enver Hoxhës me të vërtetë? Mos është e stisur? A e meriton Enver Hoxha këtë lëvdatë?. Ku u shqua më shumë në artin gojor, a në atë të shkruar? Mos e kthyen në mit kot së koti? Vetëm ai është deri në asht pasqyra e rendit dramatik të socializmit?. Ishte simbol i njeriut, apo hijenës?. Çelë e mshel copa e grima marramënthi dikund e askund. Dhe vija në rresht pasazhe dhe raste episodike. Në hotel në Moskë Enver Hoxha korigjonte diskutimin, të cilin do ta mbante në mbledhjen e 81 partive. Mehmet Shehu që e vështronte nga kolltuku këndonte më zë të ulët: – /O Enver do fshish odanë/ /Me një degë manxuranë/. Hoteli përgjohej nga hrushovjanët. E ka rrëfyer shoqëruesi i Mehmet Shehut, Gani Kodra, që merrej me sigurimin e jetës së anëtarëve të delegacionit.
Nëpër fletët e dosjeve në arkiva studjuesi mahnitet. Hetuesit kishin urdhër që të pandehurit Kadri Hazbiu e të tjerë të pranonin me çdo kusht se ata donin të eleminonin Enver Hoxhën. Dhe hetuesit kanë vepruar si maskarenj. Ditë e netë të tëra pa gjumë. Të akuzuarit të firmosnin ato që i nevoiteshin Enver Hoxhës. Nëpër kapitujt e dosjeve gjen dhe qendrime burrërore. Kur Mehmet Shehu e kishte pyetur Feçorr Shehun “se si do të vepronte në një rast fejese me Silvën me ato të dhëna’’?. Feçorri i është përgjigjur se do të vija tek ti[Mehmeti] për ta pyetur’’. Po luhej një tragjedi e vërtetë. Hetuesi Pelivan Luçi, i cili hetonte Kadri Hazbinë ishte i biri i Heroit të Popullit Nuri Luçi. Vet Pelivan Luçi e kishte pasur ikonë Kadri Hazbinë. Një katrahurë për të vënë duart në kokë. Edhe hetuesit përgjoheshin e ndiqeshin këmba – këmbës. Ç’të bënin hetuesit? Nëse nuk zbatonin urdhërat përfundonin në qeli. Të gjitha akuzat Kadri Hazbiu i ktheu përmbys. Ai u thotë hetuesve se: – “Dhora Lekën e kam takuar vetëm një herë në zyrë dhe nuk kam qenë vetëm’’, “Në burg nuk jam parë sy më sy me Bedri Spahinë’’, “Nuk kam qenë njeri i mbrëmjeve’’, “Kam dhënë shpjegime për letrën anonime të Halim Xhelos’’, “S’është fare e vërtetë se në Divizionin e Delvinës janë arrestaur mbi 200 vetë’’, “Refuzoj tu përgjigjem intrigave’’, ’’Vetvrasjen e Mehmet Shehut e mësova në telefon nga Ramiz Alia’’. “Mos u besoni bllofeve të përgatutura nga Fiqirete Shehu’’, “Deri në grykë të kem gabuar shoku Enver, do të përgjigjem’’. ’’ Proçesi është i montuar’’.
Enver Hoxha është personazh i papërsëritshëm. Ai i recitonte frëngjisht Nexhmies vargjet e Pol Eluarit, që i kishte shumë për zemër: -/Të këndosh, të luftosh, të ndeshesh dhe të shpëtosh/.
Sa shumë u mundova në Arkivin e Shtetit për të gjetur detaje rreth vizitës sekrete të Çe Gue Varës në Shqipëri. Ai e vizitoi Shqipërinë nga data 3 deri në 5 mars të vitit 1960. Asgjë të sakt nuk gjeta. Thërrime të shpërndara në internet. Pyeta kuadrot e Gardës të cilët ende janë gjallë. Ata kishin dëgjuar se Çe Gue Vara u mahnit nga Mehmet Shehu, i cili e fliste spanjishten në mënyrë të shkëlqyer. Ai kishte qenë në luftën e Spanjës. Vizita e Çe Gue Varës u bë publike pas vitit dy mijë. Ish oficerët e Gardës tregojnë se Çe Gue Vara i bëri vet fotografitë me Mehmet Shehun. Ai e kishte pasion fotografinë. Fotot me Mehmet Shehun Çe Gue Vara i mori me vete. Po Mehmet Shehu pse nuk mbajti asnjë fotografi me legjendën Çe Gue Vara? E pabesueshme. Enigmë është dhe çështja e automatikut kallashnikov. Një automatik të ri të bërë në uzinën e armëve në Poliçan Mehmet Sheu ia dha dhuratë Çe Gue Varës. Dhe ai e mori me vete. Po si e kaloi në aeroportet e vendeve të tjera? Tregojnë se Çe Gue Vara erdhi në Shqipëri me tjetër identitet. Për takimin sekret të Mehmet Shehut me Çe Gue Varën nuk është shkruar asnjë rresht. As në Arkivin e Shtetiit, as në protokollet e Kryeministrisë dhe as në arkivin e Ministrisë së Jashtëme. Nga hulumtimet e imta del se dy burrat e shtetit janë takuar në aeroportin e Rinasit. Jo, në zyrën e Mehmet Shehut. Këtë e thonë oficerët e Drejtorisë së Dytë, që mereshin me shoqërimin dhe sigurimin e delegacioneve të huaja. Një gjë është e sakt. Çe Gue Vara ka qëndruar dy ditë në Shqipëri. Po ku qëndroi? Në ç’hotel? Përveç Mehmet Shehut më kë tjetër u takua? Cili qe misioni i tij? Nuk duhet besuar ajo që thuhet se Mehmet Shjehu u takua me Çe Gue Varën vetëm në aeroportin e Rinasit. Më e çuditëshmja është se ata që e kanë shoqëruar tregojnë se Çe Gue Vara ka qenë fillikat. Natyrisht me një pamje tjetër. Nuk ka qenë ai që shohim tani në fotografi. Dhe nuk ka se si të ndodhte ndryshe. Ai ndiqej si komunist. Po si erdhi në Shqipëri? Enigma e Çe Gue Varës të trondit. Por ai bënte gjithçka. Ishte fenomen. Hollësira të tjera nuk dihen. Sa shumë më mundon misteri i këtij takimi. Në mënyrë të veçantë fotot e Çe Gue Varës me Mehmet Shehun.
Koha e Enver Hoxhës qe misterioze. Kulti ndaj tij kaloi çdo përfytyrim. Regjizorin Kujtim Spahivoglin e donin kuadrot e Gardës. Titullin e grupit lab “Yll mbi re” Kujtim Spahivogli e kishte marë nga një varg që e kishte përdorur Kadareja në roman. Vargu ishte ’’Dhe një yll që shndrit mbi re’’. Është një nga kapitujt më të bukur të romanit. Si nëpër balda këndohej kënga: – /Ku je nisur e po vete?/ /Këtë vjeshtë shoku Enver/. Bëhej fjalë për udhëtimin e Enver Hoxhës dhe të delegacionit për në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Shfaqja e gardistëve u dha në sallën e Akademisë së Arteve. Mori pjesë Adil Çarçani dhe Nexhmije Hoxha. E kam takuar dhe kam biseduar me Kujtim Spahivoglin. Jam çuditur më vonë kur atë e dënuan. Mes gardistëve ai njihej si komunist i thekur. Autori i këtyre rradhëve e ka ndjekur dramën “Një shok i klasës time’’ me dhjetra herë. Dramën e kishte shkruar dhe e kishte vënë në skenë vet Kujtim Spahivogli. Shkëlqente në ato shfaqje Vaçe Zela dhe Timo Flloko. Gardistët e donin Kujtimi Spahivoglin. E mbaj mend mirë kur oficerët e Gardës sidomos ata që mereshin me trupën, të cilët kur e takonin nuk i thoshin kurrë: “Shoku Kujtim!’’, por: – “O, Kujtim! Kur do të keni ndonjë shfaqje’’? Në kafenenë e dikurëshme oficerët shoqërues të udhëheqjes i paguanin konjak “Skëndrebeu’’ dhe fërneta. Por Garda ishte ambjent boleshvikësh. E dëgjoja kur ata të komandës thoshin: – “Po ç’na bëri ky Kujtimi? Është fejuar me një vajzë rreth 18 vjeçe me të vogël. Çdo mbasdite e shikonim Vllasova Mustën me Kujtim Spahivoglin nga Kisha e Shën Prokopit. Vllasova ishte vajzë shumë e bukur. Po kalon “Helena e Trojës’’ thoshin gardistët nëpër vendroje me dashamirësi. Thuhej mes gardistëve se Vllasova Musta ishte e bija e një luftëtari me emër që e donte Enver Hoxha. Petagogët e degës së skulpturës dhe të pikturës zgjidhinin gardistët “kafshë’’, të cilët vinin nga fshatrat e largëta. Në Gardë bënin gallatë me ata gardistë që pozonin nudo. Qëllonte që dhe studentet vajza të degës së skulpturës të punonin me tipat model, që ngjanin me kuajt. Kishin trupa të bukur. Gardistët “model’’ mpiheshin nga turpi kur poznin nudo sidomos përpara vajzave studente. Asnjë studneteje nuk ja hidhin sytë. I bënte gur turpi. Ata vinin për të pozuar me urdhër të komandës e cila bënte çfarë u thoshte Kujtim Spahivogli.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
