Kosova vazhdon të mbetet prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, pasi gati katër vjet pas aplikimit për anëtarësim ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Ndërkohë, Mali i Zi synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në dhjetor të këtij viti, ndërsa Shqipëria gjatë vitit 2027.
Këto dallime pritet të jenë pjesë e diskutimeve në samitin BE–Ballkani Perëndimor, që mbahet nesër, më 25 nëntor, në Bruksel.
Kosova është i vetmi vend i rajonit pa statusin e kandidatit. Një nga pengesat kryesore mbetet mosnjohja e pavarësisë së saj nga pesë shtete anëtare të BE-së: Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Për avancimin e procesit kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.
Komisioni Evropian, në raportin e 4 nëntorit, ka shprehur gatishmërinë për të përgatitur opinionin mbi aplikimin e Kosovës, nëse këtë ia kërkon Këshilli i BE-së. Megjithatë, një kërkesë e tillë ende nuk është bërë.
Në samit pritet të diskutohet edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, nga i cili Kosovës i janë paraparë deri në 882,6 milionë euro. Përfitimi i këtyre mjeteve kushtëzohet nga zbatimi i reformave dhe angazhimi konstruktiv në dialogun me Serbinë.
Brukseli kërkon nga Kosova reforma në drejtësi, luftë kundër korrupsionit, institucione funksionale dhe respektim të të drejtave të komuniteteve joshumicë. Ndër kërkesat kryesore mbetet edhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian kritikon edhe Serbinë për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe mungesën e llogaridhënies për sulmin në Banjskë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Megjithatë, për Kosovën, e cila ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që nga viti 2016 dhe liberalizimin e vizave që nga janari i vitit 2024, hapi i radhës, shqyrtimi i aplikimit për anëtarësim, ende nuk ka një afat të përcaktuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
