Petrit Malaj: Vendimi për katër ish-krerët e UÇK-së ka sjellë trishtim te shqiptarët kudo që ndodhen

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e ka cilësuar të trishtë vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur keqardhjen për një vendim që, sipas tij, ka prekur thellë ndjenjat e shqiptarëve kudo që jetojnë. Malaj ka theksuar se qëndrimi i Shqipërisë për luftën e UÇK-së mbetet i pandryshuar, duke e cilësuar atë si një luftë të drejtë për lirinë e Kosovës dhe të popullit të saj. “Ishte i trishtë vendimi që u mor në Gjykatën Speciale për katër çlirimtarët e Kosovës. Ishte vendim i cili padyshim te shqiptarët, kudo që ndodhen, sjell trishtim. Sepse ne kemi vlerësuar gjithmonë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri që luftoi për Kosovën, lirinë e popullit dhe ky mendim i yni vazhdon të jetë edhe sot, që UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar Malaj. Ambasadori shqiptar ka vënë theksin edhe te rëndësia e angazhimit për fazën e ardhshme të procesit gjyqësor, duke kërkuar përqendrim të veçantë në mbrojtjen e katër ish-krerëve të UÇK-së në procedurën e apelit. Ai ka përshëndetur formimin e grupit punues nga Qeveria e Kosovës dhe partitë politike, me synimin për të ndihmuar mbrojtjen e tyre në këtë fazë të procesit. “Duhet punuar fuqishëm sa i përket mbrojtjes në apel. Edhe këtu ka një hapë të mirë të qeverisë së Kosovës e të gjitha partive duke formuar grupin punues për të ndihmuar katërshen në hapin tjetër në apel”, ka deklaruar Malaj. Deklaratat e ambasadorit Malaj pasqyrojnë qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe shqetësimin për fatin e katër ish-krerëve të UÇK-së, vendimi ndaj të cilëve ka ngjallur reagime dhe emocione të fuqishme në mesin e shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Jakup, unë kam me të pritë, vëlla, edhe pse jam 87 vjeç” – monologu prekës i Daut Krasniqit

“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta …