Presidentja e zgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka përcjellë mesazhe për bashkimin kombëtar, sakrificën për liri dhe qëndrueshmërinë e vlerave të luftës çlirimtare, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit. Në fjalën e saj, ajo ka theksuar rëndësinë historike të kësaj date për shqiptarët, duke kujtuar se 28 Nëntori bashkon katër ngjarje me peshë të veçantë në historinë kombëtare: Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shiroka Pula ka vlerësuar se flamuri kuq e zi u bë simbol i qëndresës dhe i luftës çlirimtare të Kosovës, ndërsa ka nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit. Ajo ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës që të jetojë i lirë në vendin e vet. Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, presidentja e zgjedhur ka përcjellë një mesazh të qartë se zhvillimet gjyqësore nuk mund ta fshijnë të drejtën historike të popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo. “Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo”, ka theksuar ajo. Në përmbyllje të fjalës së saj, Shiroka Pula ka bërë thirrje për forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e shtrirë mesazhin e bashkëpunimit edhe drejt integrimit evropian. “Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, ka thënë presidentja e zgjedhur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
