Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lart kontributin historik të Jakup Krasniqit në organizimin e luftës për çlirimin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit, duke e cilësuar atë një nga figurat e rëndësishme të historisë së lirisë së vendit. Duke folur në ceremoninë e përurimit të lapidarit kushtuar Krasniqit dhe simbolit me tri shkronjat e UÇK-së në Negroc, vendlindjen e tij, Lladrovci ka kujtuar angazhimin e hershëm atdhetar të ish-kryetarit të Kuvendit, kontributin në organizimet që i paraprinë luftës dhe përkushtimin e tij në ditët vendimtare të historisë së Kosovës. Ai ka sjellë kujtime nga bashkëpunimi dhe takimet me Krasniqin, duke theksuar rolin e tij në bashkimin e veprimtarëve politikë dhe në organizimin e rezistencës kundër pushtetit serb. Ka kujtuar gjithashtu lidhjet e tij me Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tjerë. Lladrovci ka shprehur mbështetje të fuqishme për Jakup Krasniqin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke e cilësuar të padrejtë përballjen e tyre me Gjykatën Speciale dhe duke shprehur bindjen se Gjykata e Apelit do të marrë vendim për lirimin e tyre. “Baci Jakup ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm në shtetndërtimin, në çlirimin e vendit […] shpresoj me bindje të madhe se Apeli do t’i lirojë, sepse heronjtë tanë Baci Jakup, Hashimi, Kadria, Rexha, Cali dhe të tjerët janë heronj të lirisë së Kosovës”, ka deklaruar Lladrovci. Për Lladrovcin, Jakup Krasniqi mbetet një nga personalitetet që i kanë shërbyer çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, ndërsa lapidari i përuruar në Negroc është një shenjë nderimi për kontributin dhe rrugëtimin e tij historik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
