Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka afat deri sot për të paraqitur zyrtarisht njoftimin për apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Dënimet e shqiptuara më 16 shtator kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve ka paralajmëruar se do t’i kundërshtojë vendimet, duke i konsideruar ato të padrejta. Sipas aktgjykimit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Ky vendim, që përfshin katër prej figurave kryesore të UÇK-së gjatë luftës dhe të jetës politike të pasluftës, ka nxitur debat të gjerë për mënyrën e trajtimit gjyqësor të luftës së Kosovës. Në opinionin publik vazhdojnë të shtrohen pyetje për standardet e drejtësisë, shqyrtimin e provave dhe përgjegjësinë individuale, çështje që duhet të marrin përgjigje përmes procedurave gjyqësore dhe jo përmes deklarimeve politike. Pas paraqitjes së njoftimit për apel, procesi do të kalojë në shqyrtimin nga Paneli i Apelit. Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, kryegjykatësi mund të caktojë një gjykatës raportues, ndërsa brenda 21 ditësh thirret konferenca për çështjet që lidhen me procedurën e apelimit. Mbrojtja dhe palët e tjera duhet të paraqesin argumentet dhe bazat ligjore të kundërshtimeve të tyre.
Afati për dorëzimin e dosjes së apelit është 60 ditë, ndërsa kur ankesa ka të bëjë vetëm me dënimin, afati është 30 ditë. Pas kësaj, palët kanë të drejtë të paraqesin përgjigjet dhe kundërpërgjigjet e tyre, ndërsa Paneli mund të caktojë edhe seancë dëgjimore, nëse e vlerëson të nevojshme. Në përfundim, Paneli i Apelit mund ta konfirmojë aktgjykimin, ta ndryshojë ose ta shfuqizojë atë, si dhe të urdhërojë rigjykim. Në rast se apeli paraqitet vetëm nga të dënuarit, nuk mund të shqiptohet dënim më i rëndë se ai i shkallës së parë. Rregullorja parasheh që vendimi i Apelit të shpallet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve, me mundësi zgjatjeje edhe për një muaj, nëse ekzistojnë arsye të justifikuara. Në rast se palët nuk pajtohen me vendimin e Apelit, procedurat mund të vazhdojnë përmes mekanizmave të tjerë gjyqësorë të Dhomave të Specializuara, përfshirë Panelin e Gjykatës Supreme dhe Gjykatën Kushtetuese. Apeli mbetet faza e radhës në të cilën mbrojtja do të ketë mundësi të kundërshtojë gjetjet dhe përfundimet e shkallës së parë. Për një proces me pasoja kaq të rëndësishme për të akuzuarit dhe për opinionin në Kosovë, shqyrtimi i çdo pretendimi dhe çdo prove duhet të bëhet në përputhje të plotë me standardet e drejtësisë dhe të përgjegjësisë individuale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
