Ish kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka pretenduar se ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, u shkarkua nga pozita për shkak se kishte hetuar aferën e Korporatës Energjetike të Kosovës, ku përmenden ish-kryeshefi Nagip Krasniqi dhe Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje. Haradinaj ka thënë se përplasja ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Blerim Isufajt u bë publike pas përfshirjes së këtij të fundit në çështjen që lidhej me KEK-un dhe komunikimet elektronike ndërmjet Krasniqit dhe Mihalit. Sipas Haradinajt, reagimi i Kurtit ndaj ish-kryeprokurorit ishte i lidhur me hetimet për atë që ai e cilëson si mafie energjetike. “Rasti që e ka bë thyrjen publike mes Albin Kurtit dhe Blerim Isufajt është KEK-u, Nagip Krasniqi, e-mailat e tij dhe Dejonës. Aty ka ardhë në Parlament dhe e ka sulmu Kryeprokurorin. Për me e mujtë me e mshefë që ky po e sulmon mafian energjetike, atëherë ai ka pasë me i thanë edhe je djalë i Millosheviçit veç me e fsheh ku është problemi. Problemi është që një Kryeprokuror i Kosovës guxoi me e sulmu lidhjen e shkurtë korruptive dhe mafian energjetike”, ka deklaruar Haradinaj. Ish-kryeministri ka kritikuar gjithashtu politikat energjetike të Qeverisë, duke pretenduar se Kosova është bërë gjithnjë e më e varur nga importi i energjisë dhe mallrave nga Serbia. Ai ka thënë se tregu i Kosovës është mbushur me produkte serbe, ndërsa ka kritikuar edhe mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike. “Ne sot importojmë nga Serbia ma shumë së gjithë. Mallrat e Serbisë e kanë pushtu Kosovën. Nga zero euro import, sot ne jemi treg i tyre”, ka deklaruar Haradinaj. Duke folur për sektorin energjetik, ai ka përmendur dy projekte të prodhimit të energjisë me kapacitet të përgjithshëm prej 950 megavatësh, për të cilat pretendon se nuk janë realizuar, ndërsa sipas tij Kosovës i mungojnë rreth 600 megavatë kapacitete prodhuese. Haradinaj ka ngritur edhe akuza për mënyrën e importit dhe tregtimit të energjisë elektrike, duke pretenduar se përmes çmimeve dhe kostove të transportit po krijohen përfitime të padrejta.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
