Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur bindjen se viti 2027 do të shënojë një fazë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian të vendit, duke theksuar se Tirana zyrtare nuk pret favore nga Bashkimi Evropian, por është e gatshme t’i përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara. Në konferencën e përbashkët për media me komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, pas Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Rama iu referua deklaratës së saj se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Evropian. Ai tha se qeveria shqiptare do të vazhdojë punën për realizimin e reformave, duke i konsideruar ato të domosdoshme për të ardhmen e vendit. “Ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë për të përmbushur detyrat që kemi. Na imponohet që t’i kryejmë këto detyra pikë për pikë”, deklaroi Rama. Ai theksoi se reformat për anëtarësim në BE janë njëkohësisht pjesë e procesit të modernizimit të Shqipërisë, forcimit të shtetit dhe konsolidimit të institucioneve. Sipas tij, pikërisht cilësia e institucioneve mbetet një nga dallimet kryesore mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. “Nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh. Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t’i përmbushim ato në maksimum”, u shpreh kryeministri. Gjatë konferencës, Rama bëri të ditur edhe se Shqipëria do të përfitojë 15 për qind fonde shtesë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Sipas tij, këto mjete do të sigurohen përmes rishpërndarjes së fondeve që vendet e tjera të rajonit nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë. Ai e cilësoi këtë si tregues të ecurisë së Shqipërisë në zbatimin e planit. Një tjetër përfitim që përmendi ishte integrimi në sistemin evropian të pagesave SEPA. Rama tha se gjatë 11 muajve të parë janë realizuar 788 mijë transaksione, me vlerë të përgjithshme prej 8.7 miliardë eurosh. Sipas tij, qytetarët dhe bizneset kanë kursyer rreth 20 milionë euro nga tarifat e transfertave, ndërsa potenciali vjetor i kursimeve mund të arrijë në 71 milionë euro. Kryeministri njoftoi gjithashtu se një nga objektivat për vitin 2027 është ulja e tarifave të roaming-ut për qytetarët shqiptarë gjatë komunikimit me vendet e Bashkimit Evropian. Negociatat për këtë çështje, sipas tij, kanë nisur në tetor. Duke folur për rezultatet e samitit, Rama veçoi katër fusha ku synohet të thellohet integrimi ekonomik i rajonit: reformat, afrimi me tregun e përbashkët evropian, investimet dhe inovacioni, si dhe zhvillimi i infrastrukturës rajonale. Në kuadër të këtyre prioriteteve, ai përmendi sundimin e ligjit, përmirësimin e qeverisjes, krijimin e kushteve më të mira për bizneset, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe investimet në korridoret e transportit, energji dhe rrjete digjitale. Rama falënderoi komisioneren Marta Kos për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe rajonit, ndërsa shprehu shpresën që viti i ardhshëm të sjellë përparim në procesin e integrimit evropian. Ai theksoi se afrimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor me BE-në duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset edhe para anëtarësimit të plotë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
