Sot përfundon afati për njoftimin e ankesave ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së

E premtja, shënon ditën e fundit kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ekipet e tyre mbrojtëse mund të njoftojnë zyrtarisht Gjykatën Speciale se do të apelojnë aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin në shtator u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë vendimin. Afati për dorëzimin e njoftimeve për ankesë ishte shtyrë më herët, pasi më 29 shtator Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesat e ekipeve mbrojtëse, duke caktuar 27 nëntorin si datë përfundimtare. Pas këtij njoftimi, palët do të kenë edhe 60 ditë kohë për të dorëzuar dosjet e plota të apelit. Në to duhet të paraqiten argumentet për gabimet e pretenduara faktike ose juridike në aktgjykimin e shkallës së parë. Më pas, çështja do të shqyrtohet nga një panel tjetër i Gjykatës së Apelit, i cili ka kompetencë ta konfirmojë, ndryshojë ose rrëzojë vendimin. Ndërkohë, Hashim Thaçi është dënuar gjatë kësaj jave edhe me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë. Kësaj mase nuk do t’i zbritet koha e kaluar në paraburgim. Pas shpalljes së vendimit, Thaçi e kundërshtoi atë me fjalët: “Kjo është politikë”, duke shtuar se “s’është drejtësi”. Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së u shpall më 16 shtator. Sipas vendimit, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Të katër u shpallën fajtorë për vepra që përfshijnë ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Paralelisht me zhvillimet në Hagë, në Kosovë po vazhdojnë diskutimet për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, njoftoi të enjten se drafti i ri është harmonizuar nga ekspertët juridikë. Sipas saj, synimi i partisë është që projektligji të miratohet në të dy leximet gjatë muajit dhjetor. Para se të procedohet në Kuvend, PDK-ja ka paralajmëruar konsultime me partitë e tjera politike, Bashkimin Evropian, shoqatat e dala nga lufta dhe ekspertët juridikë.

Kontrolloni gjithashtu

Sala Jashari, në prag të 28 Nëntorit, kujton shtatë dëshmorët e Jasharajve, varret e të cilëve ende janë të zbrazëta

Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, Sala Jashari ka përcjellë një mesazh përkujtimor …