Komuna e Skenderajt ka intensifikuar angazhimin për mirëmbajtjen e rrugëve dhe krijimin e kushteve sa më të sigurta për qarkullimin e qytetarëve, pas reshjeve të borës dhe krijimit të ngricave në territorin e saj.
Sipas kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, që nga dita e djeshme, gjatë gjithë natës së kaluar dhe përgjatë ditës së sotme, ekipet përgjegjëse kanë qenë të angazhuara në terren për pastrimin e rrugëve nga bora dhe akulli, duke ndërhyrë në pjesë të ndryshme të territorit komunal.
Ky angazhim ka për qëllim që të gjitha rrugët të mbeten sa më të kalueshme, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe duke shmangur vështirësitë që mund të shkaktohen nga kushtet e vështira atmosferike.
Lushtaku ka bërë të ditur se puna e ekipeve në terren nuk do të ndalet, por do të vazhdojë edhe në orët në vijim, me qëllim të mirëmbajtjes së vazhdueshme të rrugëve dhe reagimit ndaj nevojave që paraqiten si pasojë e borës dhe ngricave.
Me këtë rast, kryetari Lushtaku u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe t’i pajisin automjetet me goma dimërore.
Komuna e Skenderajt po vazhdon angazhimin për të garantuar qarkullim sa më të sigurt dhe për të minimizuar pengesat në lëvizjen e qytetarëve gjatë ditëve me mot të ftohtë dhe reshje bore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
