Jakup Krasniqi: Çështjen e veteranëve Kuvendi i Kosovës duhet ta kthejë nga fillimi

Jakup Krasniqi: Quajeni si të doni UÇK-në, ajo kreu misionin e saj fisnik, çlirimin e Atdheut

 Po të krahasohet me të gjithë parametrat e ushtrive të vendeve sovrane, të lindjes apo të perëndimit, me doktrinat e shteteve sovrane në të katër anët e botës, UÇK-ja nuk i plotëson asnjë prej tyre. Nëse mohuesit e UÇK-së kanë pasur parasysh tërësinë e parametrave, po, kanë të drejtë. UÇK-ja vërtet nuk e plotësonte asnjë parametër, madje edhe duke e krahasuar edhe me ushtrinë ndaj të cilës luftojë e fitoi. UÇK ishte më shumë se Ushtri, për të cilën kishin punuar breza të tërë idealistësh më shumë fshehtë sesa haptas, që Kosovës njerëzit e tillë nuk i munguan kurrë, ndonëse ishin pakicë! Gatishmërinë për sakrificë sublime, çdo komb e ka me pakicë edhe kombi ynë nuk mund të bënte përjashtim.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo me fajin e pjesëtarëve e të themeluesve të saj të saj, por edhe për shumë arsye nuk mund të ishte ushtri (guerile) e përmasave më të mëdha. Nuk mund të ishte ushtri edhe për faktin se Kosova e kishte një QEVERI në egzil, e cila kishte një buxhet në të cilin derdhnin mjete një shumicë e shqiptarëve, jashtë e brenda atdheut, kishte parti politike shqiptare me alamet kryetaresh, që nuk e merrnin as mundin më të vogël për të bërë ushtri e as për ta financuar atë! Kishte njerëz, e ka edhe sot, që më lehtë bisedonin e koketonin me Serbinë sesa me krerët e UCK-së!

Është fakt që në rrethana të tilla, ishte e pamundshme për të pasur ushtri, madje ishte edhe e pamundshme që të kishte Kryengritje të përgjithshme popullore se jo më Ushtri në kuptimin më të mirë të fjalës. Prandaj jemi shteti më i ri në hartën e Evropës! Dhe ky shtet i ka do rrënjë diku që duhet respektuar!

Është fakt, UÇK-ja nisi si guerile, e cila duke iu falënderuar flijimit biblik të Jasharëve, guerilen, që e quante veten UÇK, e bëri Ushtri Vullnetare për çlirimin e Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim, mobilizimi i popullit në radhët e saj u bë në saje të shembullit të sakrificës së Jasharëve e krye-flijimtarit të saj, Adem Legjendarit. Adem Jashari, për të gjallë të tij nuk arriti të bëjë ushtrinë (kryengritësit) për çlirimin e Kosovës, për çka e kishte krijuar Formacionin e tij të Armatosur, i cili në fillimin e saj e kishte quajtur ushtri. Ushtri për çlirimin e Kosovës. Duke u nisur nga kjo, LPK ose një grup i ngushtë i saj më vonë do ta quajë UÇK. Deri në marsin e vitit 1998, edhe pse ekzistonte emri UÇK, ajo vështirë se numëronte mbi 300-500 ushtarë të armatosur. Brenda vitit 1998 ajo e kalon numrin 10.000 deri në 15.000 ushtarë. Nisur nga kjo, e them pa hezituar se Rënia e Madhe e Jasharëve Legjendarë, Rezistenca e Komandantit Legjendar, Adem Jashari me familje e pak ushtarë, e mobilizoi popullin shqiptar në Luftën Çlirimtare. Atëherë, nuk kishte njeri të gjallë në politikën shqiptare në Kosovë që do ta bënte një mobilizim të tillë! Por, për çudi, nuk mungonin përpjekjet për të penguar mobilizimin e kombit për luftën çlirimtare! Ndoshta këtu duhet t’i kërkojmë arsyet pse UÇK-ja nuk ishte ushtri si do ta dëshironin ata që edhe aso kohe mund ta sabotonin. Ne, as sot pas 18 vjetëve të çlirimit, nuk po dimë si ta gjejmë gjuhën e komunikimit për të bërë ushtrinë e Kosovës (Forcat e Armatosura të Kosovës)!

Quajeni  si të doni UÇK-në e Adem Jasharit, Krijesën e Lëvizjes së Fshehtë për Çlirim, ushtri a kryengritës popullor, ajo e ka kryer misionin e saj historik e fisnik kur mori me vete NATO-n dhe Çliruan Kosovën! Marrëzitë e pasluftës le t’i marrin pa përjashtim të gjitha segmentet e “organizuara” të shoqërisë shqiptare! Si ata të kampit të luftës apo “paqësoret” e më pas paqësoret! Segmente këto që me mundësitë e tyre, jo vetëm që nuk investuan në ndërtimin e shtetit, por secili në “kaçikun” e tij, vrapuan të grabisin nga ai ende pa e konsoliduar, edhe pse bashkëqeverisën gjatë këtyre viteve! As mohësit e djeshëm a të sotshëm të Ushtrisë nuk mbetën pa hisen e tyre!

Dje Kosova i kishte mohësit e çlirimit!

Sot Kosova i ka hileqarët, mashtruesit dhe mohësit e shtetit e të FAK-ut!

Po shteti e ushtria do të bëhen se s’bënë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …