Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci

Në telegramin e ngushëllimit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci thuhet: E nderuara familja Peci, Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Blerimit, aktorit tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh dhe jemi shokuar. Blerimi u nda nga kjo jetë në moshë të re, por vepra që la është voluminoze. Krijimtaria dhe produktiviteti i tij i panumërt do të mbetet i paharruar ndër ne. Zelli me të cilin ka punuar dhe kontributin që ai ka dhënë në vazhdimësi e ka sjellë artin në Kosovë në një nivel tjetër. Me kontributin e tij, Beli, siç e quajtën miqtë e tij, ka bërë që të jetë mik i respektuar i tërë atyre që e kanë njohur në botën e artit e të kulturës dhe jashtë saj. Me punën e tij ka bërë që të jetë i vlerësuar dhe motor që ka futur në lëvizje ata që kanë qenë përreth tij. Me entuziazmin e tij ai do të krijonte edhe shumë e më shumë, posaçërisht në fushën e humorit dhe për këtë Blerimi do të na mungojë edhe më shumë. Ndarja e hershme e Blerim Pecit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës. Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Blerim Pecit.

Sinqerisht, Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …