Këshilli i Drejtorëve në Malishevë e vlerësoi si shumë shqetësuese mos repelimin e kafshëve

Drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, ku janë trajtuar shumë çështje, ndërsa shqetësim kryesor nga kjo mbledhje doli të jetë mos fillimi i fushatës së repelimit të kafshëve, si masa më efikase në luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK), dhe u kërkua nga organet kompetente që të fillojnë sa më shpejt të realizojnë repelimin, që tashmë është dashur të jetë në fazën e dytë të saj. Fillimisht drejtori komunal për bujqësi, Murat Hoxha e ka paraqitur këtë problem, i cili tha se është tepër shqetësuese që kafshët nuk janë repeluar, pasi kjo do ta ndihmoj në masë të madhe vazhdimin e ciklit tek rriqrat, të cilët janë bartës të virusit. Sipas tij, faza e parë e repelimit është dashur të jetë e kryer dhe tani do të duhej të fillohej me fazën e dytë. Edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është edhe pjesë e Këshillit Ndërministror, dhe i cili në vazhdimësi e ka paraqitur këtë shqetësim, repelimin e kafshëve e ka vlerësuar si masën më të efektshme në parandalimin e EHKK dhe ka kërkuar edhe njëherë që organet kompetente, të veprojnë sa më shpejtë, në mënyrë që të mos përsëriten situatat e viteve të mëhershme, kur virusi vdekjeprurës zhvillohej dhe merrte jetë njerëzish. Sa i përket EHKK, pjesa që është kompetencë e komunës, është duke u realizuar, siç janë ligjëratat e vetëdijesimit, pastaj ofrimi i shërbimeve shëndetësore në rastet e thumbimeve, si dhe komuna është e përgatitur për pjesën e saj të dezinsektimit të zonave endemike. Përndryshe, në këtë mbledhje të Këshillit të drejtorëve, drejtorët e drejtorive komunale, i kanë prezantuar aktivitete e tyre në sektorët e caktuar, duke filluar nga realizimi i projekteve, ku janë duke u realizuar disa nga projektet e palnifikuara, ndërsa në ditët në vijim, pritet të fillojnë të realizohen edhe disa projekte tjera. Gjatë raportimeve të drejtorëve, u tha se pastrimi i ambienteve  në të gjitha vendbanimet, është një punë e madhe dhe është duke u vlerësuar shumë, por problem janë duke sjellë mbeturinat inerte, që qytetarët i hedhin pa vend. Ndërprerja e ndërtimeve pa leje, është duke u menaxhuar mirë, ndërsa së shpejti pritet që edhe uzurpimet e mëhershme të regjistrohen dhe të lirohen hapësirat, si dhe ndërtimet pa leje përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, është paralajmëruar se do të largohen. Në fushën e arsimit dhe të kulturës, krahas aktiviteteve të përditshme dhe mbajtjes së testit PISA, javën e kaluar janë mbajtur garat në lëndën e fizikës, për të dy nivelet e arsimit, ndërsa janë duke vazhduar garat shkollore në sport dhe të gjitha këto po zhvillohen sipas planifikimeve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti përcjell nga afër situatën në terren pas reshjeve të dendura

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, po përcjell nga afër situatën në terren pas …