A.Q. Numri 12 përfaqëson përsosjen, si dhe autoritetin e krijuesit të gjithësisë

A.Q. Numri 12 përfaqëson përsosjen, si dhe autoritetin e krijuesit të gjithësisë

Numri 12 përfaqëson përsosjen, si dhe autoritetin e krijuesit të gjithësisë. Referencat simbolike për 12 fiset e Izraelit janë të shumta në Bibël. Po ashtu njihen edhe 12 muajt e vitit në kalendarin e vjetër dhe të ri. 12 orët e ditës dhe 12 orët e natës.

Numri 12 përfaqëson një element biblik, i cili ka mbijetuar në tri fetë monoteiste, hebraike, krishtere dhe islame. Mund të ketë edhe ndonjë domethënie astronomike apo edhe astrologjike.

Fiset, sipas Biblës dhe Kur’anit, rrjedhin nga Jakobi, ( Jakubi) nipi i Abrahamit, të cilit Zoti i premtoi titullin “babai i shumë popujve”. Perëndia e quajti Jakobin “Izrael” dhe e begatoi  atë me 12 djem: Rubenin, Simeonin, Levin, Judën, Danin, Neftalin, Gadin, Asherin, Isakerin, Zabulonin, Jozefin dhe Beniaminin.

Çdo burrë u bë patriark ose udhëheqës i një fisi që mbante emrin e tij.

Kur Perëndia i shpëtoi izraelitët nga skllavëria, në Egjipt, ata u bashkuan në shkretëtirë,  dhe secili fis u mblodh në kampin e vet më të vogël. Pasi e ndërtuan tabërnakullin e shkretëtirës nën urdhrat e Perëndisë, fiset u vendosën rreth tij për tu  kujtuar se Perëndia ishte mbreti dhe mbrojtësi i tyre.

Së fundi, izraelitët hynë në Tokën e Premtuar , por ata fillimisht duhej të dëbonin  fiset pagane që asokohe  jetonin atje. Edhe pse  u ndanë në 12 fise, izraelitët e kuptuan se ishin një popull i unifikuar nën Perëndinë.

Gajtë kohës sa ishte në Egjipt, Jakobi i adoptoi dy nipat e tij, nëpërmjet Jozefit, Efraimin dhe Manasheun. Në vend të një pjese të fisit të Jozefit, fiseve të Efraimit dhe Manasheut,  secili mori një pjesë të tokës. (Beslidhja e Vjetër)

12 fiset shqiptare, kroate e sllave

Edhe kujtesa shqiptare, sidomos ajo në veri të viseve të Shqipërisë ka ruajtur traditën e 12 fiseve që njihen kryesisht në Kosovë, në Kosovën Lindore. Disa emra fisesh janë ruajtur edhe në viset e dikurshme shqiptare të Nishit e të Toplicës, të cilat ruhen edhe sot në toponime të shumta, por edhe në emra fisesh të shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre në veri,

(muhaxhirët) të cilat i ka okupuar Serbia dhe ka zhdukur në tërësi elementin shqiptar, turk dhe hebraik. Po ashtu, disa emra fisesh  njihen edhe sot në trevat shqiptare të Malit të Zi. Shqipëria e mesme dhe ajo e jugut ka disa fise të caktuara,  nga 12 që përfshihen në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Fiset më të njohura shqiptare janë:

Kastrati, Kelmendi, Krasniqi, Gashi, Shala, Hoti, Morina,

Dukagjini, Bytyçi, Thaçi, Berisha, Mazreku, Kuçi.  

Nën fiset janë:

Mazreku, Shoshi, Shkreli, Merturi, Nikaj, Kryeziu, Kabashi, Sopi, Zogiani, Zogaj e të tjerë.

Ende nuk ekziston ndonjë studim i veçantë lidhur me përcaktimin historik të fiseve shqiptare dhe pikërisht për këtë ka edhe mospajtime lidhur me fiset e nën-fiset që përfshihen brenda korpusit të 12  fiseve.  12 fiset shqiptare nuk janë të mirëfillta në kuptimin biblik dhe nuk lidhen mbi një gjenezë të caktuar, por janë kryesisht formulime të kohës së mesjetës feudale, shqiptare, të identifikuara  me emra të principatave  shqiptare të Mesjetës si: Arianiti, Kastrioti, Dukagjini, Ballshaj, Muzaka, Topia, Gropa,  e të tjerë.

Po kështu vërehet edhe fenomeni i ndikimit fetar në eliminimin e fiseve, si ndikimi i krishterë,  por më shumë ai islam. Duke qenë se Kanuni i Lekë Dukagjinit është luftuar nga tri fetë e pranishme ndër shqiptarë, në gjeografinë e trojeve shqiptare kemi një shtrirje heterogjene të fiseve, të cilat kanë të bëjnë edhe me ndikimin fetar.

Është karakteristikë se në viset jugore, të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit, kryesisht në Maqedoninë e sotme janë  zhdukur emrat e fiseve. Përveç fisit Thaç, Morinë, nuk hasim fise të tjera nga korpusi i 12 fiseve, por ka nga nën-fiset.

Fenomeni i 12 fiseve fiseve është i njohur edhe te kroatët, madje  edhe te malazezët, të cilët i kanë disa fise të përbashkëta me shqiptarët. Dymbëdhjetë fiset e  Mbretërisë së Kroacisë (lat. Nobiles duodecim generationum regni Croatiae) janë një institucion tradicional mesjetar aristokratik, ekzistenca e të cilëve  mund të gjurmohet në shekullin e 14-të. Tradicionalisht, përmendja e parë është në Pacta Conventionti, nga teksti i cili daton   në  vitin 1102, megjithëse është ruajtur vetëm në transkriptime, më i vjetri prej të cilëve është në dorëshkrimin e Trogirit “Historia Salonitana Maior” nga Thomas Archdeacon i vitit  1387. Përmendja e parë e besueshme e fiseve kroate daton nga viti 1350 në një dokument për Vireviqin të konfirmuar nga Parlamenti Kroat, asokohe   i mbledhur në Podgragje.

“Dymbëdhjetë fiset e Mbretërisë së Kroacisë” mund të gjurmohen  në burimet nga 1350 në dokumentin për Vireviqin dhe në 1360, kur ai shfaqet në dokumentin për çështjet gjyqësore midis fisnikëve të Cetina dhe Princit Ivan Nelipçiqit. Sipas historianit të njohur kroat,   Millan  Shuflaj detyra fillestare e këtij institucioni klasor ishte të mbronte të drejtat e fisnikërisë më të ulët,  nga sulmet e familjeve të fuqishme feudale që dolën nga këto klane më të gjera dhe filluan t’i nënshtronin ato, nën sundimin e tyre. Sidoqoftë, kur Luigji i Parë i Anzhuinëve  (1342-1382) theu fuqinë e familjeve dinastike  në Kroaci dhe rivendosi pushtetin mbretëror, anëtarët e aleancës së fisnikërisë më të ulët u ngritën në mbrojtje të të drejtave kroate (consuetudinis Croatorum)  siç dëshmohet nga Pacta Conventa ose Qualiter i krijuar në atë periudhë.

Fiset e vjetra kroate janë:

Kačići, Gusići, Çudomirići, Shubići, Kukari, Lapqani i Karinjanit, Mogorovići, Snačići, Lačničići (Lasničići), Poletčići, Jamometići (Jamometi) Tugomirići (Tugomerići).

Në literaturën serbe në Wikipedia janë përfshirë shumë fise serbe por jo me numrin 12, duke përvetësuar edhe shumë fise e nën-fise shqiptare si: Shala, Kastrati, Kuçi, Krasniqi, Kelmendi, (Klementi)  Gashi, Shkreli, Hoti, Nikaj, Berisha, etj.    ( Категорија:Српска племена)

Ky përvetësim nuk ka bazë të argumentuar historike, por janë prezantuar fiset e Malit të Zi si fise serbe, meqë Serbia zyrtare nuk e njeh popullin malazez. Po kështu, Serbia duke qenë se nuk e njeh Shtetin e Kosovës dhe në hartën gjeografike e përfshin si krahinë të saj, ka bërë edhe përvetësimin e shumicës së fiseve shqiptare duke i trajtuar si fise serbe ( srpska plemena).

Serbët në patroniminë e tyre kanë përvetësuar edhe patronimet e mirëfillta shqiptare si: Gjonoviq dhe Gjoni, Gashiq nga Gashi, Zotiq nga Zotaj, Shekullarac, nga Shekulli, Arnautoviq, nga arnaut, patronin shumë i përhapur në Serbi, Gjonoviq nga Gjini, Kastratoviq nga Kastrati, Dukiq nga Dukaj, Dakiç nga Daka, Daciq nga Daci  e qindra  patronime të tjera me prapashtesën sllave serbe -iq dhe –oviq…

Ahmet Qeriqi maj 2021

 

Referencat:

 

Besëlidhja e Vjetër,

Kanuni i Lekë Dukagjinit,

 Gjurmime dhe studime

Në gjurmim të lashtësisë

Nobiles duodecim generationum regni Croatiae.

consuetudinis Croatorum,

Категорија:Српска племена,

Vikipedia

Kontrolloni gjithashtu

Adem LUSHAJ: Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore …