Arban Abrashi: Unë s’merrem me Merkelin dhe Malin e Zi, por me nevojat e qytetarëve të Prishtinës

Arban Abrashi: Unë s’merrem me Merkelin dhe Malin e Zi, por me nevojat e qytetarëve të Prishtinës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë sot se pas fitores së 22 tetorit, nuk do të merret me Facebook, me propagandë, as me Merkelin dhe as me Malin e Zi, siç ka bërë kryetari i deritanishëm, por do të merrem me punë konkrete sipas nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të Prishtinës. “Kryetari i deritashëm është marrë me Klubin e Futbollit ‘Shkëndija’ dhe jo me Klubin e Futbollit ‘Prishtina’, është marrë me Merkelin dhe Malin e Zi, por jo me asfaltimin e rrugës Butovc – Matiçan, prandaj unë do ta ndryshojë këtë qasje”, është shprehur Abrashi në tubimin në Kolovicë të Vjetër.

Abrashi ka shtuar se gjatë katër viteve të shkuara është shkatërruar sektori i ndërtimtarisë, është shkatërruar kultura, është degraduar sporti, ka rënë punësimi etj. “Administrata në komunë është mbushur me njerëz jashtë Prishtinës përkundër faktit që ka pasur mjaft kuadro nga qyteti ynë. Hartimin e programit tonë nuk e kemi bërë në zyrë, por duke biseduar dhe u konsultuar me qytetarët e secilës pjesë të Prishtinës”, është shprehur Abrashi.

“Programi ynë është i realizueshëm, ndërsa të tjerët që e patën rastin për katër vjet nuk bënë absolutisht asgjë për ju. Buxheti i komunës ka rënë për 20 milionë euro, ndërsa për katër vjet i kemi humbur rreth 75 milionë euro. Prishtina nuk e ka komoditetin të humbë 75 milionë, sepse me këto para kanë mundur të kryhen punë të mëdha”, ka theksuar Abrashi, duke shtuar se për katër vjet nuk është ndërtuar asnjë shkollë, asnjë qendër e mjekësisë familjare, nuk është shtuar asnjë metër gyp i kanalizimit, ndërsa kërkojnë vota në emër të ujit e projekteve që nuk i kanë bërë fare ata.

“Askush nuk i ka ndaluar të merren me qentë endacakë dhe shumë punë tjera që kanë mund të kryhen, prandaj detyra jonë është që më 22 tetor t’i çojmë në shtëpi”, ka thënë Abrashi. Ndriçimi e zgjerimi i rrugës janë zotimet e Abrashit për këtë pjesë të kryeqytetit, ndërsa projekt edhe më i madh është shndërrimi i Butovcit në zonë turistike.

Kontrolloni gjithashtu

Kadri Veseli dhe Agim Aliu kanë prezantuar projektin “Bashkimi i Qytetit” për Ferizaj

Kadri Veseli dhe Agim Aliu kanë prezantuar projektin “Bashkimi i Qytetit” për Ferizaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me kandidatin e PDK-së për kryetar …