Brickos

Adil Fetahu

ADIL FETAHU: STATUTI I LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT

Dokumente 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitin 1943/44, në trojet shqiptare të cilat ishin ‘’çliruar’’ nga okupimi sllav, por ishin pushtuar nga okupatorë tjerë: italian, bullgar e gjerman, u zhvillua aktivitet i ngjeshur politik dhe ushtarak, me qëllim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. U bënë përpjekje për bashkimin e rrymave dhe forcave të ndryshme politike për t’i dalë zot Atdheut e Kombit. Në këtë frymë janë mbajtur mbledhje të rëndësishme, si: Mbledhja e Mukjes (1-3 gusht 1943); Lidhja e Dytë e Prizrenit (16-20 shtator 1943), Kuvendi Kushtetues Kombëtar i Tiranës (16 tetor  deri më 5 nëntor 1943); Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943 e 1-2 janar 1944). Të gjitha këto kishin për synim çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet etnik, sado që kishin pikëpamje të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi.  

Për aspektin politik dhe historik të këtyre tubimeve të rëndësishme shqiptare, është folur e shkruar shumë, madje me plot kontraverza e vlerësime disonante, sidomos për personalitetet më të përkushtuara dhe më të angazhuara kombëtarisht. Unë këtu, në këtë përvjetor (80-vjetorin) e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, do të paraqes vetëm aspektin juridik të organizimit të asaj Lidhjeje, sepse prej dispozitave të Statutit shihet karakteri, qëllimi, struktura e organizimit, financimi dhe funksionimi i organizatës. 

Ditën e parë të hapjes së Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16 shtator), ishte miratua propozimi i rendit të ditës prej 6 pikash. Në pikën 5 të rendit të ditës, ishte paraparë përpilimi dhe miratimi i Statutit të organizatës kombëtare ‘Lidhja e Dytë e Prizrenit’. Statuti u miratua në mbledhjen e dytë të Lidhjes, që u mbajt më 21 janar 1944, ndërsa e Dekretoi Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar, më 14 mars 1944. 

Siç shihet, Lidhja e Dytë e Prizrenit nuk ishte një organizatë e thjeshtë politike, por kishte edhe karakter shtetëror, me qenë se Statutin e saj e miratoi Qeveria dhe e dekretoi Këshilli i Naltë Shtetëror, i cili përkohësisht kishte   rolin dhe kompetencat e Mbretit të Shqipërisë.

Për lexuesit e interesuar, të cilët nuk kanë pasur rastin të njihen me përmbajtjen e Statutit, këtu më poshtë po e botojmë të plotë tekstin e Statutit, bashkë me Dekretin e Këshillit të Naltë të Shtetit, marrë nga libri i Tahir Zajmit: ‘Lidhja e II-të e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit pçr mbrojtjen e Kosovës’, Bruksel 1964).  Nuk do bëjmë asnjë korrigjim gjuhësor a drejtshkrimor, përveç ndonjë presje sa për qartësim   të fjalive. 

S T A T U T I

i Organizatës

‘’LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT’’

I.Themelimi

Në bazë të vendimevet, që nxorri kongresi i Prizrenit më 16-19 shtatuer 1943, ku u përfaqësuen tokat e lirueme si edhe të tokat e tjera t’ish mbretnis jugosllave, themelohet organizata ‘LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT’.

II.Qëllimi

Kjo organizatë ka për qëllim mbrojtjen e tokave të lirueme si edhe të tokave tjera t’ish Jugosllavis. Si mjet për kët qëllim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarësinë e viseve në fjalë dhe t’organizojë popullin fizikisht e moralisht për mbrojtjen e këtij thëzi.

III.Kompetenca toksore

Kompetenca toksore e kësaj organizate shtrihet mbi të gjitha tokat e sipërshenueme, dmth. mbi Kosoven e lirueme, mbi qarkun e Dibres, si edhe mbi viset tjera Shqiptare t’ish Jugosllavis.

Malsinat mbrenda kufijve të 1913-tës që ma parë vareshin prej qyteteve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës s’Madhe, me qenë se ekonomikisht dhe gjeopolitikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetet në fjalë, mund të përfaqësohen në Kuvend vullnetarisht dhe mund të marrin pjesë në organizatën e ‘LIDHJES SË II TË PRIZRENIT’.

IV.Organiyimi, kompetencat dhe funksionimi

Organizimi i Lidhjes së Prizrenit përfshinë:

  • Kuvendi i Lidhjes, me qendër në Prizren, përbahet prej antarvet nga një delegat për çdo rreth administrativ (Qendra e Prefekturavet dhe n/Prefekturavet).
  • Komiteti Qendruer, me seli në Prizren, përbahet prej katërmbëdhjetë (14 anëtarësh. Kryetari, dy N/kryetarët dhe gjithë antarët tjerë të Komitetit Qendruer zgjidhen prej Kuvendit.

Kryetari dekretohet prej Këshillit të Naltë mbi proponimin e Kryeministrisë.

  • Komiteti Qarkuer, me seli në kryevendin e çdo Prefekture përbahet prej shtatë (7) vetvet, të cilët zgjidhen simbas procedurës së caktueme prej qarkores së Komitetit Ekzekutiv të Tiranës të datës 24.IX.1943 mbi rregullimin e  zgjedhjes s’ Asambleistëvet.

Po kjo proçedurë ndiqet edhe për zgjedhjen e antarve të Komitetit Rrethuer. Antarët e komitetit komunal zgjidhen prej Kryepleqsive të katundeve të komunës me seli-qendra e komunës, kurse kryetari caktohet prej Komietit Qendruer në mes t’antarve të zgjedhun si ma sipër. 

  • Komiteti Rrethuer, me seli kryevendin e çdo N/Prefekture,  përbëhet prej pesë (5) vetësh, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qarkuer.
  • Komiteti komunal, me seli në kryevendin e çdo komune, përbahet prej tre (3) vetvet, të cilët zgjidhen si ma siër, kurse Kryetari caktohet prej komietit Rrethuer.
  • Komiteti katunduer,me qendër katundin, përbahet prej pleqsisë së katundit.

V

Nënpunëst, në shërbm t’organizatës emënohen prej Komitetit Qendruer mbi proponimin e Komietit përkats.

Në qoftë se nuk gjinden nëpunsa në numër të mjaftueshëm për kryemjen e shërbimeve t’organizatës, me lejen e kryetarit t’administratës së vendit, mund të ngarkohen me detyra përktëse sekretarët Bashkijak ose komunal, kundrejt nji shpërblimi prej arkës s’oranizatës.

VI

Në marrëveshtje me Komandën e përgjithshme të Mbrojtjes kombtare, oganizata merr në shërbim si instruktorë oficerë dhe n/oficerë të cilët mbas gradës, vehen në dispozicion të komiteteve të ndryshme.

Inspektorët pranë Komitetit Qendruer përbajnë Shtabin e Komitetit.

VII

Funksionet e kësaj organizate dhe kompetencat e organeve të saj rregullohen simbas dispozitavet që pasojnë:

  • Kuvendi i Lidhjes, i zgjedhun prej popullit, përfaqson vullnetin e këtij dhe mblidhet tri herë në mot. Jashtzakonisht Kuvendit mblidhet kur thirret prej Komitetit Qendruer, në rasë nevoje për me marrë vendime me  randësi, ase mbi kçrkesën e shumicës s’anëtarve të Kuvendit.
  • Komiteti Qendruer i zgjedhun prej Kuvendit si ma sipër, ësht auktoriteti ma i naltë ekzekutiv i ksaj Organizate; përfaqëson organizatën, komunikon vendimet e Kuvendit, jep udhëzime dhe urdhna komiteteve të ndryshëm sipas hierarkisë, kontrollon komitetet ase urdhëron hijerarkisht kontrollimin e tyne; plotëson organizimin e Lidhjes; organizon stërvitjet, emnon funksionarë të çdo natyre dhe çdo kategorije t’organizatës, merr masa diciplinore e ndëshkimore kundër këtyne dhe harton  buxhetin e organizatës. 
  • Komitetet janë auktoritete t’organizatës; këto përfaqësojnë në vendin e vet Komitetin Qendruer dhe veprojnë simbas dhëzimeve dhe urdhnave të tij, që jepen e transmetohen hierarkisht.

Komitetet eprorë kanë të drejtë inspektimi e kontrolli mbi komitetet inferiorë. Hierarkija e komiteteve asht analoge me ato t’auktoriteteve civile të shtetit. Kompetenca toksore e tyne konçidon me atë t’auktoriteteve civile të Shtetit. 

VIII

Funksionet e mbrendëshme të Kuvendit dhe zgjedhja e Parisë së tij rregullohen me vendimet e këtij Kuvendi.

IX

Funksionet e mbrendëshme të Komitetit Qendruer e të komiteteve të tjera të varuna prej tij, zgjedhja e antarvet, zëvendës t’atyne, që për arsyena të randa largohen prej Komitetit, themelimi i komiteteve ku ende s’janë themelue, plotësimi i organimit simbas këtij Statuti, rregullohen me vendimet e Komitetit Qendruer.

X

Emnimi, transferimi, gradimi dhe pushimi i nëpunsave të kësaj organizate kryhet me vendimet e Komitetit Qendruer simbas normave ligjore në fuqi për nëpunsat e shtetit. Emnimet diciplinore kundër nëpunsave t’oganizatës zbatohen prej Komitetit Qendruer simbas ligjeve të shtetit mbi procesin e Komitetit Qendruer ose komiteteve të ndryshëm, sipas ligjeve të shëtit. 

Në rast se nëpunsat në fjalë kryejnë nji faj që hyn në rrethin e ndëshkimeve penale, me procesverbalin përktës çashtja i referohet gjyqit përkatës për veprim. 

                                                         XI

Organizata e LIDHJES ii TË PRIZRENIT ka tagër:

  • Me organizue propagandë intensive me qëllim të që të përgatisë shpirtnisht, materjalisht dhe fizikisht popullin për mbrojtjen e tokës së vet,
  • M’u pregatitë për luftën dipllomatike në konferencën e paqes, me organizue mbledhjen e dokumentave provuese të karakterit shqiptar t’atyne visevet,
  • Me organizue aparatin e vet administrativ, simbas këtij statuti, ndër të gjitha viset e kompetencës së saj tokësore me organe të çdo prefekture, komune e bashkie dhe katundi,
  • Me organizue stërvitjen paraushtarake të djelmoshave ende të pa rekrutuem, në konformitet me ligjën rreth organizimit të paraushtarakve qi asht në fuqi,
  • Me iu përveshë organizimit për stërvitjen e të gjitha mashkujvet deri në 60 vjeç, veç atyne nën armë,  tue i inkuadrue simbas organizimit të përshtatshëm. Pjestarët e këtyne grupevet nuk mbahen në stërvitje të vazhdueshme, por regjistrohen, betohen dhe qëndorjnë ndër shtëpijat e veta dhe thërriten herë pas here për ushtrime ase veprime të tjera,
  • M’u kujdesë për sigurimin e mjeteve të transportit, t’ushqimit dhe të tjera pajime të nevojshme për veprimin e organizatës,
  • Me kërkue prej autoritetevet shtetnore e parashtetnore ndihmën dhe përkrahjen e tyne, të cilët për sa të jetë e mundun ua akordojnë,
  • Me kërkue dhe me marrë në dispozicion oficerë dhe nënoficerë prej ushtrisë e xhandarmërisë dhe rrogat e këtyne do ë vazhdojnë të paguhen prej arkës së shtetit.

XII

T’ardhunat e kësaj organizate, për me u ba ballë shpenzimeve të saj, janë:

  • T’ardhuna nga ndihma të ndryshme të dhurueme prej patriotve, emrat e të cilvet do të regjistrohen e do të shpallen. Këta shënohen edhe si antarë nderi, kur dhurata e tyne asht e konsiderueshme,
  • T’ardhunat nga shitja e pullavet fakultative, të cilat do të jenë postare, prej pesë (5) qindarka dhe për lutje zyrtare prej njizet (20) qindarka,
  • T’ardhunat nga fushata të hapuna herë pas here, me vendim të Komitetit Qendruer,
  • T’ardhunat nga pasunija e ish organizatës serbe ‘’SOKOL’,
  • T’ardhunat nga kontributi i bashkive dhe i komunave të tokave të lirueme, kontribut i cili do të jet dhetë për qind (10%) mbi të gjitha t’ardhunat vjetore bruto të tyne. Bashkitë dhe komunat në fillimin e çdo vjeti financiar, kur pregatisin buxhetin e tyne, janë të detyrueme me caktue në pjesën e shpenzimeve përqindjen e ma sipërme të sajueme në favorin e kësaj organizate dhe shuma qi do të rezultojë do të derdhet n’arkën ma t’afërme të financës së shtetit, në llogaritë arkës së Komitetit Qendruer,
  • T’ardhunat nga shitja e shejeve (distinkteve) t’organizatës.

XIII. Dispozita të posaçme

Shka nuk parashifet në këtë statut dhe që nuk asht në kundërshtim me dispozitat e tija, me qëllimin dhe misionin e kësaj organizate rregullohet me vendimet e Komitetit Qedruer.

XIV

Marrëdhënjet e ksaj organizate me qeverin kryhen nëpërmjet Kryesisë së Këshillit Minstruer.

XV

Organizata ka vulën e vet, ku shënohen fjalët: ‘’LIDHJA e II E PRIZRENIT’ dhe emni i zyrës. Po ashtu ka edhe shejën (disktinktiven) dhe pullat e veta, ku shënohen fjalët: ‘LIDHJA E II-të E PRIZRENIT’.

XVI

Organizata ka zyrat e veta në qendër ashtu edhe nëpër krahinat ku janë themelue komitetet. Këto gëzojnë përjashtimin nga taksat postare, telegrafike dhe telefonike, simbas ligjës autorizuese.

XVII

Organizata asht person juridik dhe i gëzon të gjitha të drejtat përkatëse ligjore.

XVIII

Vendimet, rregulloret, qarkoret dhe urdhrat e kësaj organizate të daluna prej komiteteve dhe organeve të saj kompetente, dhe në konformitet me këtë statut, kanë fuqi obliguese si për organet e veta edhe anëtarët e vet.

XIX

Kur e lyp nevoja Komiteti Qendruer i organizatës ka tagër me i tërhjekë vërejtjen qeveris mbi sjelljet e nëpunsave të shtetit për të cilët kujton se u nxjerrin pengime aktivitetit t’organizatës.

XX

Mosmarrveshtjet eventuale midis autoriteteve lokale shtetnore dhe kësaj organizate zgjidhen në marrëveshtje midis tyne dhe, në rasë dështimi, në marrëveshtje midis Kryetarit të Këshillit Ministruer dhe të Kryetarit të Komitetit Qendruer.

XXI

Organizata e lartëpërmendun vazhdon deri në kryemjen e plotë t’aprovimit të sajë. Në mbarim të këtij qëllimi organizata syprimohet me dekret të Pushtetit Sovran dhe pasunitë e saj destinohen në favor të shtetit.

XXII

Ky Statut i paraqitet Qeveris për aprovim dhe hyn në fuqi prej ditës së shpalljes të Dekretit aprovues.

Prizren, më 21 Kallnuer 1944

Vërtetohet se asht nji me origjinalin,

Kryetari i KQ i L.II-të TË PRIZRENIT

Bederi Peja, d.v.

SHTETI SHQIPTAR

KËSHILLI I NALTË

Mbi aprovimin e bamun me shkresën Nr.324 datë 14.II.1944 të Kryeministrisë,

Si ndigjoj dhe pëlqeu vendimin Nr.96 datë 12.II.1944 të të Kishillit Ministruer,

DEKRETON

Aprovimin e Statutit t’Organizatës ‘’LIDHJA E II-të E PROIZRENIT’’, dhe urdhnon zbatimin e tij.

Tiranë,më 14 Mars 1944 K R Y E T A R I

Mehdi Frashëri, d.v.

  K R Y E M I N I S T R I

 A N T A R Ë: Rexhep Mitrovica, d.v 

P.Anton Arapi, d.v.

Lef Nosi, d.v.

* * *

Statuti  (neni 11) në një mënyrë përcakton edhe Programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke përcaktuar: organizimin, masivizimin, rolin dhe detyrat e segmenteve të ndryshme të Lidhjes, zhvillimin e propagandës (përmes gazetës e mjeteve tjera), mobilizimin, stërvitjen dhe aktivizimin e forcave luftarake të popullsisë,  mbledhjen e të dhënave për viset shqiptare, për t’i prezantuar në Konferencën e Paqes; çlirimin, bashkimin, pavarësinë; etj.

Shtrirja territoriale e luftës për çlirim e bashkim, përfshinte vetëm viset e banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi, pa pretendime ndaj territoreve tjera të shteteve fqinje (dispozita e nenit 2 dhe 3).

Organizimi, organet, zgjedhja, funksionet, raportet hierarkike të niveleve të ndryshme (të qendrës, të rretheve, qarqeve, komunave, bashkësive, katundeve) janë përcaktuar hollësisht në dispozitat e neneve: 4, 7, 8, 9, 10). Në nenin 12 janë përcaktuar burimet e financimit të aktivitetit të Organizatës, duke marrë përqindje të caktuar nga taksat e shtetit dhe të hyrat vjetore të bashkive dhe  komunave.

Në nenet 5, 6, e 11, janë përcaktuar raportet e organizatës me organet e shtetit të nivelit qendror dhe atij lokal (ndihma me nëpunës të shtetit, me instruktorë  e oficerë  profesionalë nga ushtria dhe xhandarmeria e shtetit). Emërimi, gradimi, pushimi nga puna, përgjegjësia disiplinore dhe penale e nëpunësve të organizatës bëhet sipas mënyrës dhe procedurës së caktuar me ligjet e shtetit (neni 10). Në nenin 19 është paraparë mospengimi i aktivitetit të organizatës nga nëpunësit e qeverisë (lokale a qendrore), e në rast të ndonjë mosmarrëveshje eventuale, zgjidhja bëhet midis autoriteteve të shtetit dhe atyre të Organizatës (neni 20).

Përcaktimi në nenin 17, që Statuti i organizatës hyn në fuqi pasi ta miratojë Qeveria dhe ta dekretojë Këshilli i Naltë i Shtetit, organizatës i jep karakterin e një organizate shtetërore. Në nenin 21 është përcaktuar karakteri i përkohshëm i organizatës, që nënkupton se ajo do të veprojë vetëm deri në çlirimin, bashkimin, konsolidimin dhe stabilizimin e organeve të viseve të çliruara. Kur organizata ta ketë arritur qëllimin e saj, ajo do të suprimohet me dekret të Pushtetit Sovran, kurse pasuria e saj i cedohet shtetit. 

Shikuar nga të gjitha aspektet dhe krahasuar me Kararnamën dhe Vendimet Plotësuese të Lidhjes së Prizrenit (të vitit 1878), Statuti i Lidhjes së II-të të Prizrenit është shumë më i avancuar, më i detajuar, më demokratik, më bashkëpunues me Shtetin Shqiptar, dhe nuk ka asnjë konotacion fetar as urrejtje shoviniste, as pretendime territoriale të tokave të hueja, përveçse çlirimit  e bashkimit të viseve shqiptare të cilat kanë qenë të okupuara nga Jugosllavia. Ajo organizatë veproi prej gjysmës së shtatorit 1943 deri në gjysmën e nëntorit 1944, kur pushtetin e muarën komunistët edhe në Jugosllavi edhe në Shqipëri,  të cilët vranë, masakruan e pushkatuan dhjetra mijëra nacionalistë-patriotë shqiptarë të Kosovës dhe viseve tjera, po edhe të Shqipërisë londineze.  Përpjekjet dhe luftimet e çetave nacionaliste vazhduan edhe në vitin 1945 e diku-diku deri në vitin 1947. 

Historia duhet t’i vlerësojë realisht qëllimet, veprimet dhe sukseset e Lidhjes, në dritën e fakteve e dokumenteve, në kontekst të kushteve e rrethanave të kohës; as me gjuhën e glorifikimit as të mohimit të meritave e sakrificave të veprimtarëve e patriotëve të rreshtuar në atë Organizatë. 

Lidhja e Dytë e Prizrenit aktivitetin e saj e kishte përcaktuar e shtrirë në hapësirën e viseve shqiptare të okupuara nga ish-Jugosllavia, prandaj në Statut nuk bëhet fjalë për Çamërinë, e cila gjithashtu ishte (dhe është) tokë shqiptare e okupuar nga Greqia. 

15. 9. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …