Adil Fetahu

Adil Fetahu: Vojvodina si Katalunja

*As Kosova nuk është Krime, as Vojvodina nuk është Sevastopol”

“Vojvodina nasha dika, bice Republika” (Vojvodina krenaria jonë, do bëhet Republikë)

Me këto dhe tjera përmbajtje e mesazhe, në Novi Sad dhe në disa qytete tjera të Vojvodinës, janë shfaqur (më 6 e 9 shtator 2019) grafite e pllakate të Organizatës “Mllada Vojvodina” (Vojvodina e Re), e cila “në programin e saj” ka pavarësinë e Vojvodinës nga Serbia.  Kjo organizatë  ekziston dhe vepron në Vojvodinë që nga viti 2015, dhe veprimin e vet më aktiv e ka filluar pas zgjedhjeve në Kataloni, në të cilat  patën fituar forcat që angazhohen për pavarësi nga Spanja. Madje, disa grafite edhe e kishin këtë përmbajtje: “Vojvodina = Katalonia”.

Edhe pozita edhe opozita në Vojvodinë janë deklaruar se nuk kanë lidhje me këtë organizatë. Megjithatë, Liga Socialdemokrate e Vojvodinës, parti e kryesuar nga Nenad Çanak, thotë se nuk është fshehtësi që e përkrahin idenë për Vojvodinën Republikë, veçse  realizimin e kësaj  ideje duhet arritur përmes institucioneve, duke ia kthyer Vojvodinës pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të hyrat dhe pasuritë burimore, ashtu sikur i ka pasur deri në vitin 1988.

Partia Përparimtare Serbe (e Vuçiqit), e dënon veprimin e “Mllada Vojvodinës”, sepse, sipas tyre, ky veprim ka karakter dezintegrues  e separatist dhe është në kundërshtim me rrugën e reformave  “që po bënë Serbia”. Ndonëse këto parulla nuk përkrahën nga shumica e qytetarëve, megjithatë, për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk duhet as të mbiçmohen as  të nënçmohen, thonë nga qarqet e regjimit serb.

Organizata  “Mllada Vojvodina” herë-pas-here, sipas rasteve,  shfaqet me aktivitetet dhe performansat  e saj. Kështu, me rastin e vizitës së kryetarit të Rusisë, Vlladimir Putin në Serbi (17.01.2019), në Vojvodinë  u shfaqën pllakate me parulla kundër asaj vizite: “Putine – Goo”; “As Kosova nuk është Krime, as Vojvodina nuk është Sevastopol”; “Antifashizmi në Vojvodinë, kurrë nuk do t’i frikësohet revizionizmit serbijan”;  “Kushdo që mbështetë rehabilitimin e shërbëtorëve të fashizmit dhe të kriminelëve të Luftës së Dytë Botërore, është armik i Vojvodinës”; “Do të sanksionohën në mënyrën më të ashpër të gjithë ata që do përpiqen ta zvogëlojnë rëndësinë e luftës antifashiste”; “Vdekje Obrazit – Liri Vojvodinës”, etj.

Sipas përfaqësuesve të kësaj Organizate,  Vojvodina është viktimë e centralizmit dhe unitarizmit serbomadh, prandaj ardhmëria e Vojvodinës nuk mund të ndërlidhet me nacionalizëm, me klerofashizëm  dhe me vlera antieuropiane.

Me rastin e 100-vjetorit të aneksimit dhe bashkimit të Vojvodinës me Serbinë (1918-2018), në sheshin “Petar Karagjorgje Petroviq”, përmendoren e të cilit e zbuloi Vuçiqi, Organizata “Mllada Vojvodina”, mbi pllaken origjinale të emërtimit të sheshit, e kishte vu pllakën e vet, me emërtimin: “Trg Republike Vojvodine” (Sheshi i Republikës së Vojvodinës), ndërsa në disa qytete tjera të Vojvodinës kishin vu pllakatet me tekstin: “Pas 100 vjetëve edhe Hongkongu i tha (Kinës, v.j.) – mirupafshim”!

Ndërkaq, me rastin e paralajmërimit të ardhjes në Novi Sad të poetit dhe akademikut ultranacionalist Matija Beçkoviq, për të promovuar librin e tij “Stotine mojih portreta” (Njëqint portretet e mia),  që u mbajt në selinë e  Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë – Dega në Novi Sad (më 6 nëntor 2019), në muret e asaj shtëpie ishte vu pllakata: “Beçkoviqu – idi kuci” (Beçkoviq – shko në shtëpi)! E njëjta gjë u përsërit më 9 nëntor, në Zrenjanin, duke vu pllakatën dhe eklipsuar plotësisht pllakatën me portretin e madh të Beçkoviqit.

Njësitë antigrafite të shërbimeve komunale të Novi Sadit e qyteteve tjera, vrapojnë dhe i  heqin, fshijnë, gëlqerosin e mbulojnë pllakatat dhe grafitet e Organizatës “Mllada Vojvodina”.

 

Memorandumi për Ardhmërinë e Vojvodinës

 

Se aktiviteti i Organizatës “Mllada Vojvodina” nuk është i vetmuar dhe izoluar, dhe se në njëfar mënyre ka mbështetjen edhe të disa partive politike dhe organizatave joqeveritare në Vojvodinë, tregon edhe rasti i fundit i lidhjes së një “Memorandumi për Ardhmërinë e Vojvodinës”. Në të vëretë, më 17 dhjetor 2019, përfaqësuesit e 9 partive politikke dhe organizatave joqeveritare, ndër të cilat më të njohura ishin: Liga Socialdemokrate e Vojvodinës, Partia Vojvodinase, Lidhja Demokratike e Kroatëve në Vojvodinë, Aleanca e Rumunëve të Vojvodinës, Partia Malazeze, Lidhja e Sllovakëve të Vojvodinës, “Së bashku për Vojvodinën”, Lëvizja Liberaldemokrate e Vojvodinës dhe “Forumi V-21”, në bashkëpunim me Frontin e Vojvodinës, i cili bashkon disa organizata joqeveritare,- nënshkruan në Beograd  Memorandumin për Ardhmërinë e Vojvodinës.

Duke paraqitur argumente e degradimit të gjithanshëm të Vojvodinës nën centralizmin serb, ky bashkim i partive, si një koalicion parazgjedhor, pretendon që pas zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, të zhvillojë luftë institucionale për kthimin e autorizimeve që ka pasur Vojvodina deri në vitin 1988. Ata thonë se ideja e tyre është për një Vojvodinë Europiane. Ata që e njohin më mirë historinë e Vojvodinës, e dinë se kjo krahinë edhe sa ishte  pjesë  e Austrohungarisë, deri në  vitin 1918, e  ka pasur identitetin e vet  dallues, si rajon multikultural.

Njëri nga nënshkruesit e Memorandumit (memorandum emër famëkeq, që na përkujton në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave, v.j.), Nenad Çanak, theksoi se Fronti Vojvodinas tubon forcat proeuropiane në Serbi, dhe fton të gjitha forcat e tilla të bashkohen në zgjedhjet e ardhshme, ngase Serbia gjendet në krizë të thellë politike, të cilën e ka shkaktuar nacionalizmi dhe centralizmi serbomadh. Aleksandar Oxhiq, kyetar i Partisë Vojvodinase, thotë se  në rrugën europiane nuk mund të shkohet përmes Rusisë ose Unionit Euroaziatik.

Prioritet i veprimit të forcave të bashkuara në Memorandum do të jetë realizimi i të drejtave më të mëdha dhe avancimi i statusit të Vojvodinës, përmes rajonizimit dhe decentralizimit të Serbisë. Vetëm anëtarësimi i plotë i Serbisë në BE dhe në NATO garanton progresin politik, shoqëror, ekonomik dhe civilizues, theksohet në Memorandum. Pa anëtarësimin në këto struktura, Serbia do të mbetet edhe më tutje rob i strukturave politike e të sigurisë, të cilat e kanë futur në luftë me fqinjët më të afërt dhe me shtetet më demokratike. Prandaj, marrëdhëniet me fqinjët duhet të jenë prioritet i Serbisë. Serbia duhet ta pranojë realitetin në Kosovë dhe të vazhdojë bisedimet në Bruksel, për të arritur marrëveshje juridikisht të obligueshme, theksohet në Memorandum.

Në lidhje me Memorandumin në fjalë, Organizata “Mllada Vojvodina” më 22 dhjetor k.v.,në derën e selisë së Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, kishte vu pllakatin me tekst: “Veç po ju vëzhgojmë se çfarë po bëni me Memorandumin e nënshkruar… Një shansë e keni. Nuk ka të ndalur. Luftë deri në funt. Vojvodina – Republikë! Tekstin e asaj pllakate e kishin vu edhe në twiter dhe në instagram të faqes së “Mllada Vojvodinës”.

Me gjithë këto “erëra që fryjnë në skenën politike e shoqërore të Vojvodinës”, duke pasur parasysh situatën e krijuar në atë krahinë të aneksuar para 100 vjetëve, , ku struktura e tashme e popullsisë është më se 80% serbe, synimet e “Mllada Vojvodinës” apo të forcave tjera që aspirojnë pavarësinë e Vojvodinës nuk kanë gjasa të realizohen. Vështirë se do të arrijnë të realizojnë çfarëdo edhe nga synimet për avancimin e pozitës juridike dhe statusit të Krahinës, në qoftë se nuk do ta kenë mbështetjen e plotë të fuqive të Evropës  dhe Amerikës, karshi synimeve të Rusisë për mbajtjen e Serbisë në orbitën e saj. Megjithatë, edhe maratona prej dhjetëra mijëra kilometrash, fillon me hapin e parë.

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …