Adil Olluri: Haraqia, nuk ka të ndalur

Ministri i Kulturës në kabinetin Çeku, Astrit Haraqija, me veprimet e tij të deritanishme, na bën ta quajmë ministër të jokulturës, të shundit dhe kulturës komerciale. Këtë na e dëshmon vetë ai me veprimet e tij të pandalshme në dëm të vlerave të mirëfillta të kulturës dhe buxhetit të varfër të Kosovës. Ai me moton “ I kam harxhit’ paret e babës, e lere më të Ministrisë ”, po bën kërdi në këtë buxhet, gjë që në vendet me zhvillim normal të demokracisë, do të duhej të jepte llogari para ligjit dhe eprorëve të tij. Por, në vendin tonë punët shkojnë ashtu siç shkojnë. 

Ky ministër, padyshim një partizan partiak që nuk ka aspak haber për punën që e bën, ditë më parë ka dhënë “ një ndihmë ” rreth 20 mijë eurosh për Video Festin, një festival komercial i muzikës argëtuese, i organizuar nga televizioni privat tiranas, Top Chanel. Pra, qysh në fillim ndeshemi me befasinë! Athua ky njeri, zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, i ka rregulluar punët aq mirë në vendin e tij, sa që po ka mundësi të ndihmojë edhe organizimet në Tiranë. Normalisht se jo. Dihet se në çfarë gjendje është teatri, filmi, libri, muzika etj. Dihet se krijuesit, aktorët, këngëtarët e muzikës serioze për mungesë të mjeteve financiare mbesin pa i realizuar projektet e tyre artistike, me vlera të mirëfillta, pa shund e vjedhje të këngëve, siç ngjet me shumë këngëtarë, që ka financuar ose preferon t’i finacojë në të ardhmen, ministri Haraqija. 

Kjo nuk është hera e parë që ky ministër e keqpërdorë buxhetin kësisoj. Ai më herët i ka ndarë 150 mijë euro për një festival privat të Ardit Gjebresë, si dhe rreth 15 mijë euro për një album të këngëtares Arbërie Hadërgjonaj, me të vetmin arsyetim se i pëlqejnë këngët e saj. Dhe për asnjë nga këto shpenzime nuk ka dhënë llogari para askujt. Njëjtë po vepron edhe sot. 

Lidhur me këtë shpenzim të panevojshëm kanë shprehur reagimin e tyre edhe njohësit e fushave të ndryshme të kulturës, edhe pse ky reagim ishte paksa i zbehtë. Ata shprehen kundërshtimin e tyre me këtë veprim të ministrit, duke i thënë atij se Video Festi është një organizim privat dhe komercial dhe nuk i takon Ministrisë të Kulturës ta financojë këtë veprimtari, kur dihet mirëfilli gjendja kulturore në Kosovë. 

Si duket ministri e ka harruar se detyra e Ministrisë që drejton ai është promovimi dhe zhvillimi i aktiviteteve të pastra kulturore, zakonisht ato aktivitete publike, por edhe ato të natyrës private kur janë në pyetje vlerat kulturore, e jo t’i financojë organizimet komerciale, të cilët edhe mund të vetëfinacohen, dhe të mbahen shumë mirë edhe pa “ ndihmën dhe shpirtgjerësinë ” e ministrit. Dhe këtë veprim Haraqija “ humanist ” e bën në kohën kur në Kosovë nuk ka asnjë revistë letrare. Me ato njëzetë mijë euro do të botohej revista letrare “ Fjala ”, së paku për tetë vite. Po kujt t’i flasim. Vetëm duhet të presim e të shohim seri me sy se çfarë sihariqi do të pjellë nesër.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …