Adnan Sherif Bunjaku (10.1.1979 - 2.5.1999)

Adnan Sherif Bunjaku (10.1.1979 – 2.5.1999)

Adnan Bunjaku rrjedh nga një familje me tradita patriotike. Në kohën e pushtimit serbo-malazez të Kosovës, Ramë Hasan Bunjaku pushkatohet bashkë me bashkëshorten, Salën, nga kolonisti serb i Gojëbulës së Vushtrrisë, Smilko Todoroviq, për shkak të strehimit të dy luftëtarëve të rezistencës: Kamber Gërguri dhe Jashar Gjaka, atëherë të ndjekur nga pushtuesi serb.

Gjyshi i Adnanit, Hasani e ka ripërtërirë emrin e babait, Ramës së parë, te djali i parë më 1945. Edhe Rama i ri, i quajtur me emrin përkdhelës “Lushi”, rrëmbehet nga policia e atëhershme serbe dhe, sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tij. Shoqja e tij, Faza e ka pritur tetë vite. Po atë ditë në fshat vritet Idriz Gërguri dhe gjashtë banorë civil starasellas, si quheshin atëherë dhe varrosen te “Mrizat” në tri varreza (dy martirë në një varr). Ndërkaq, axha tjetër, Hysen Bunjaku, atëherë në shërbim ushtarak, më 1958, për shkak të mosbindjes, vritet nga shërbimi policor sllav. Prindi ftohet ta marrë djalin, gjoja “të vdekur” për ta varrosur në shtëpi dhe urdhërohet që të mos e çelë arkivolin, për shkak të infektimit. Me të nxjerrë Hysenin nga varri, Sherifi e sjell në fshat, e hap arkivolin për shkak të verifikimit të shkakut të vdekjes, e vëren një vrimë plumbi në kokë.

Rama i strehon dy luftëtarë kundër pushtimit: Kamber Gërgurin e Jashar Gjakën. Të hetuar, që të dy kapen nga serbi Vukmiri, i cili goditet për vdekje nga Jashari, ndërsa serbët e tjerë atye vrasin Hajriz Gërgurin. Ndërkaq, Smilku e vret Ramën e të shoqen. Moni e Veli Bunjaku kapen, ngujohen në një shtëpi serbe të fshatit Gojëbulë, të cilët arrijnë të ikin për dritare me anë të shokave të brezit, por gjatë ikjes Moni kapet nga fqinji serb, [anku, ndërsa Veliu shpëton dhe e lajmëron fshatin të largohet. Si pasojë, armiku djeg fshatin.

Ndërkaq, më 1994, vëllai i Adnanit, Ismeti, dy vite i vuajti në burg ushtarak në Lubjanë, po ashtu për shkak të kryeneqësisë e mosbindjes, si dhe në bazë të informatave të sjella nga SUP-i komunal se “rrjedh nga një familje armike shqiptare”, prej ku, më 1997, merret e dërgohet në stacion policor dhe maltretohet psiqikisht e fizikisht nga Aca Kompiroviq dhe Dragan Vasileviq me pretekst të disponimit të armëve. Nga ky presion, Ismeti detyrohet të mërgojë në Luksemburg.

Adnani u lind më 10 janar 1979 në Martiraj (ish-Studime). Ishte fëmija më i vogël nga gjashtë vëllezërit e pesë motrave. Rrjedh nga një familje me traditë patriotike shekullore, me prejardhje nga fshati Potërçoji të Toplicës, të dëbuar nga andej që në vitet shtatëdhjeta të shekullit 19 e të vendosur së pari në Podujevë, pastaj të përndjekur edhe prej andej e të vendosur në Studime të Epërme.

Shkollën fillore e kreu në Ceceli, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Vushtrri. Në mungesë të punësimit, u mor me mjeshtërinë e hidroinstaluesit, për t’i ndihmuar sadopak familjes materialisht. Pasioni i tij ishte armëmbajtja, por ilegale dhe gjuetia. Ishte zeshkan, shtatgjatë e vital, shumë i dashur e i afërt me eprorë, bashkëluftëtarë, me shokë e farefis.

Fillimi i luftës për Adnanin ishte sihariq. Që në muajt e parë të luftës, lajmërohet të inkuadrohet në radhët e UÇK-së dhe merr bekimin e komandës, me detyrën ushtar fronti.

Rreshtohet në njësinë e parë të togut të dytë të Batalionin IV të Brigadës 141 “Mehë Uka” në Ceceli. Ka disponuar pushkomitralez M-70.

 Mori pjesë në shumë aksione luftarake në përbërje të Batalionit të katërt. Ishte pjesëmarrës i drejtëpërdrejtë në ofensivat e shtatorit 1998 dhe të majit 1999, ku dhe ra dëshmor.

Bashkëluftëtarët e tij të afërt ishin: Januz Segashi, Bedri Sokoli, Ismet Tërbunja, Fehmi Bunjaku e në veçanti shoku e bashkëluftëtari i tij i pandashëm, Blerim Gërguri.

Adnani ishte i fejuar gjashtë muaj para rënies. Pikërisht, paraditën e fundit, i ati Sherifi, shkon të ndajë vade për nusen e djalit. Në të kthyer nga miku, bashkë me nusen, Sherifi kthen në komandën e UÇK-së në Ceceli, ku merr me leje edhe Adnaninnë dhe arrin në shtëpi.

Pas dy-tri orësh, fillon ofenziva e armikut që nga Bajgora deri në Martiraj (ish-Studime). Adnani i sapomartuar, detyrohet të kthehet në shtab, ku ngarkohet me detyra të caktuara ushtarake. Atë pasditë bie heroikisht në mbrojtje të popullatës së rreshtuar dhunshëm nga armiku, aty ku i gjendej ede familja: babai, nëna, nusja me mysafirë të asaj shtëpie e qindra të tjerë, të detyruar të deportohen nga ajo anë për në Vushtrri e ku di tjetër.

I goditur në kraharor nga armiku me armë zjarri, Adnani ra dëshmor në Martiraj, më 2 maj 1999, duke u përjetësuar në altarin e lirisë.

Varroset në Martiraj, ndërsa pas luftës, rivarroset në varrezat e dëshmorëve në Bletajë.

Familja e Adnanit ka marrë mirënjohje nga KK e komunës së Vushtrrisë, shtabi i ZaSH e Shoqatat e Luftës Prej tij kanë mbetur disa relikte jo vetëm ushtarake: ditari i luftës, si dhe emblema e kapela e UÇK-së. Emrin e tij e trashëgon djali i vëllait, Ismetit, i lindur në vitin 2000. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …