Agim Hasan Sadiku (14.6.1976 - 2.5.1999)

Agim Hasan Sadiku (14.6.1976 – 2.5.1999)

Dhuna sistematike e pushtetit të dhunshëm serb, e shtuar në mbarë Kosovën mbi shqiptarët e shtoi nevojën për fillimin e luftës së armatosur për jetë e fitore ose për vdekje. Si realitet i kësaj gjendjeje të Kosovës së robëruar këtu e nëntëdhjetë vite më parë, zëvendësuese e pushtimit osman që nga pushtimi serb më 1912, doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, natyrisht e përbërë kryesisht nga rinia, e cila, megjithë sakrificat sublime, la nam dhe siguroi lirinë e Kosovës.

Agim Sadiku lindi më 14 qershor 1976 në Vidishiq të komunës së Mitrovicës. Ishte i treti me radhë, nga pesë djemtë e tri vajzat, sa patën prindërit Hasan e Miradije Sadiku. U rrit në treva heroike të dëshmuara ndër shekuj e të përkujtuar lavdishëm ndër breza, në këngë e çifteli, në oda e ndeja të ndryshme, si dhe u pajis me, njohuri historike të së kaluares gjatë shkollimit fillor e të mesëm. Edhe në familjen e tij, Agimi pati anëtarë me pasoja të shkaktuara nga pushteti okupues serbo-jugosllav, nga shkaku i rezistencës për të mos u nënshtruar.

Babagjyshi i Agimit, Neziri, dhëndër i Ukshin Kovaçicës, në qershor 1999, nuk pranoi t’i përgjigjet urdhëresës përë dëbim nga vatra e shtëpisë. Forcat policore-ushtarake serbe e rrëmbejnë dhe prej asaj dite nuk dihet për fatin e tij.

Shkollën fillore e kreu në Bare të Shalës së Bajgorës, ndërsa të mesmen në Mitrovicë. Pasioni i tij ishte sporti, ashtu siç e pati edhe shtatin e zhvilluar atlet e muskuIoz, të kalitur për luftë. Edhe si i ri, me interesim i përcolli e mori pjesë në manifestimet antijugosllave të viteve nëntëdhjeta.

I frymëzuar nga aktivistët eprorë të lartë: Rrahman Rama, Bashkim Jashari (nip) dhe Shekip Fazliu, të cilët qëndrojnë mysafirë në shtëpinë e tij prej 20-26 mars 1998, ende pa u formuar Shtabi i UÇK-së në vendlindje, Agimi me padurim u kyç në luftën çlirimtare të Kosovës. Babai i Agimit, Hasani, pas një vëzhgimi në Bare me rrethinë, gjatë një lëvizjeje për qëllime luftarake e kontakteve me vendës, në veçanti me të rinjtë, e përgatisin terrenin mjaft të përshtatshëm për zhvillimin e luftës së armatosur.

Ndërkaq, me formimin e Shtabit në Lajthishtë (ish-Zabërxhë), më 1998, Hasanit e të tjerëve i bashkohet edhe i biri, Agimi, duke u rreshtuar në brigadën 141 “Mehë Uka” në Melenicë, me detyrën ushtar fronti, Hasani mbante pushkë gjysmautomatike. Rekrutimin e ushtroi në qendrën e parë stërvitore, në fshatin Lajthishtë (ish-Zabërxhë) dhe zyrtarisht u regjistrua më 15 qershor 1998, nën komandën e eprorit Hasan Preteni. Kështu, Agimi me babain, Hasanin, me vëllain Afrimin, me xhaxhain, Nehatin e disa bashkëluftëtarë të tjerë, ishte ndër ushtarët e radhëve të para në Shalë të Bajgorës. Së pari shërbeu në njësinë mbështetëse të Batalionit të III të Zonës Operative të Shalës.

Mori pjesë në luftime, sidomos në betejën e Melenicës, te Shkëmbi i Sokolit. Shokë të ngushtë e bashkëluftëtarë pati: Kosum Rashanin, Bajram Pecin, dëshmorin Isë Mernica, Mehdi Sadikun etj.

Herën e parë Agimi u plagos më 18 gusht 1998 në Melenicë, te Shkëmbi i Sokolit dhe dërgohet në spitalin e Bajgorës për shërim. nga bashkëluftëtarët Isë Mernica, tani dëshmor dhe Qamil e Sherif Meholli.

Ra dëshmor më 2 maj 1999 në Martiraj të Vushtrrisë, bashkë me Faik Vidishiqin, i goditur në largësi nga një snajper armiku, pas largimit të familjes nga shtëpia për shkaqe sigurie e pas kthimit për në shtab.

Në mbremje të asaj dite të rënies, varroset në Martiraj, ndërsa pas çlirimit rivarroset në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, i radhitur me dëshmorët që ia siguruan lirinë dhe ia shtuan madhështinë Kosovës.

Për meritat luftarake të Agimit, familja ka marrë mirënjohje e dekorata nga qeveria e parë komunale e Vushtrrsë, Mitrovicës, e Shoqata të dala nga lufta të komunës së Mitrovicës. Një rrugë në Mitrovicë e mban emrin e tij. Prej tij kanë mbetur një ditar jete e disa relike nga veshëmbathja.

Për figurën e dëshmorit Agim Sadiku janë thurur edhe vargje poetike, si vargjet nga poezia “Trimat e lirisë” e shkruar nga Almie Osmani: “Që të kujtosh trimat I është një krenari I siç është Agimi I me shokët e tij”. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …