Kosova rrezikon të humbasë mbi 90 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi institucionet vendore ende nuk e kanë dorëzuar kërkesën për pagesën e radhës, ndërsa afatet po afrohen me shpejtësi. Sipas Komisionit Evropian, deri tani nuk është pranuar asnjë kërkesë nga Kosova për fondet e radhës, edhe pse afati për dorëzim përfundon më 15 korrik, ndërsa deri më 30 qershor kërkohet përmbushja e 13 reformave të parapara në Agjendën e Reformave. Në këtë situatë, BE paralajmëron se moszbatimi i reformave mund të sjellë humbje të fondeve të rëndësishme për vendin. Ndërkohë, nga Qeveria është pranuar se disa reforma janë të rrezikuara për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit dhe vonesave në proceset ligjvënëse. Kryeministri në detyrë ka deklaruar se 10 reforma skadojnë në fund të qershorit dhe se vonesat institucionale po e rrezikojnë përfitimin e fondeve. Situata politike dhe mungesa e një Kuvendi funksional po e komplikon edhe më tej përmbushjen e afateve, ndërsa pas zgjedhjeve të 7 qershorit pritet një proces i gjatë i konstituimit të institucioneve. Afatet po afrohen dhe bashkë me to edhe rreziku për humbjen e miliona eurove për Kosovën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
