Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë se po merret më shumë me kundërshtarët politikë sesa me sfidat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës. Çitaku tha se energjia e kreut të qeverisë duhet të fokusohet në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe jo, siç u shpreh ajo, në pengimin e opozitës. “Albini qenka i preokupuar me ia mbyllë shtigjet opozitës. Shihjani preokupimet dhe ambiciet. Albin, leje opozitën. Koncentrohu te qytetari”, shkroi ajo. Në reagimin e saj, përfaqësuesja e PDK-së renditi edhe një varg çështjesh që, sipas saj, kërkojnë vëmendje urgjente institucionale, duke përmendur koston e jetesës, gjendjen në arsim e shëndetësi, si dhe mirëqenien e pensionistëve. “A ke me ua hapë shtigjet qytetarëve për një jetë më të mirë? Për çmime më të ulëta? Për arsim më cilësor? Për barna për të sëmurët? Për pensione dinjitoze? A ke me ia hapë shtigjet Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së? Këto janë çështjet e vërteta. Këto janë hallet e njerëzve”, shkroi Çitaku.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
